Petriç: E mirëpres forcimin e KFOR-it, parandalimi i luftës në Ballkan është prioritet i BE-së dhe SHBA-së

Volfgang Petrič
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Volfgang Petriç, ka përshëndetur shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë, për të parandaluar, siç thotë ai, incidente si ai i 24 shtatorit në Banjskë, transmeton “Gazeta Express”.

Ish-i dërguari special i BE-së për Kosovën beson se viti i ardhshëm do të jetë më i fokusuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

Ai në një intervistë për Kosova Press ka vlerësuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme të këtij viti në Serbi dhe zgjedhjet e rregullta të vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe në SHBA janë shenjë se nuk do të ketë përparim konkret në dialogun Beograd-Prishtinë.

Sipas fjalëve të tij, duhet kujdes shtesë që “diçka të mos ndodhë në kufirin e Kosovës dhe Serbisë” dhe se duhet ditur se zgjedhjet në Serbi janë “kohë konfliktesh të ashpra dhe shkelje të rregullave themelore demokratike”.

“Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodhë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu që unë e mirëpres shumë ngritjen e forcave ndërkombëtare atje dhe mendoj se është ironike në një farë mënyre. Ju mund të mbani mend se në vitin 1999 unë negociova një marrëveshje paqeje me përfaqësuesit amerikanë dhe rusë në Rambuje... dhe Serbia nuk e nënshkroi marrëveshjen në atë kohë sepse nuk donte të shihte forcat ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Tani presidenti Vuçiq thotë se ne kemi nevojë për një KFOR më të fortë”, theksoi Petriç

Ai thekson se është e nevojshme të sigurohet një ambient i sigurt për qytetarët.

"Fatkeqësisht, ne pamë një përplasje të ekstremistëve në shtator të këtij viti, që nuk duhet të ndodhë më kurrë. Mendoj se KFOR-i tani është në gatishmëri dhe do të parandalojë çdo incident të tillë në të ardhmen," vlerësoi Petriç.

Ai shtoi se ka një vendosmëri të re dhe vigjilencë të jashtëzakonshme të amerikanëve për sigurinë në rajon, me fokus zbatimin e angazhimeve në dialog.

Duke folur për situatën e sigurisë, Petriç thotë se bashkësia ndërkombëtare është bërë shumë më e kujdesshme sa i përket rajonit, duke theksuar se parandalimi i luftës në Ballkan është prioriteti numër një si për BE-në ashtu edhe për SHBA-në.