Radoiçiq: Kemi ardhur në Banjskë për të inkurajuar serbët, nuk jemi terroristë, por luftëtarë të lirisë
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq dha dorëheqje nga ajo pozitë dhe njoftoi se më 24 shtator erdhi në Banjskë së bashku me bashkatdhetarët e tij për të inkurajuar popullin serb që t'i rezistojë regjimit të Kurtit, se askush nga strukturat qeveritare të Serbisë apo strukturat politike lokale nga veriu i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në dijeni dhe ka thënë se ata nuk janë terroristë por luftëtarë të lirisë.
Letra e Radoiçiqit drejtuar publikut, të cilin e lexoi avokati Goran Petronijeviq, e riprodhoni në tërësi:
“Unë, Millan Radojiçiq, nga babai Rajko, i lindur më 1978, në Pejë të Kosovës dhe Metohisë në Republikën e Serbisë, për shkak të spekulimeve të shumta që janë shfaqur, njoftoj gjithë opinionin se së bashku me bashkatdhetarët e mi nga veriu i Republikës së Kosovës më 24 shtator 2023, kam ardhur në veri të Republikës së Kosovës në zonën e fshati Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb nga ajo zonë që t'i rezistojë terrorit të regjimit të Kurtit, të mbrojë popullin tonë që çdo ditë i ekspozohet atij terrori dhe të krijojë kushte për realizimin e ëndrrës për lirinë e popullit tim në në veri të Kosovës dhe Metohisë.
Po i njoftoj të gjithë të përndjekurit në detyrë të popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk kishte asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë me përfshirjen time të mëparshme politike.
Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe as kam marrë ndonjë ndihmë prej tyre, sepse deri atëherë kishim pikëpamje të ndryshme për metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.
Pasi populli i rezistoi në mënyrë të përsëritur terrorit të regjimit të Kurtit, për shkak të respektimit të arsyeve politike për qetësimin e situatës, ne disa herë u tërhoqëm pa arritur një rezultat të dukshëm, sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuonim në de-përshkallëzimin, dhe se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrin gjithçka është e nevojshme për të mbrojtur popullin serb. Megjithatë, qetësimi i situatës si kjo nga ana jonë nuk u perceptua nga pala tjetër si vullnet i mirë dhe krijimi i kushteve për negociata, por si dobësi. Si rezultat, aktivitetet e forcave të Kurtit, të cilat pushtuan ilegalisht veriun e Kosovës, u intensifikuan dita-ditës, në formën e të shtënave, rrahjeve të civilëve, arrestimeve arbitrare, demonstrimeve të forcës dhe frikësimit të popullit serb. Thjesht, të gjitha këto metoda të rezistencës që janë aplikuar deri më tani, nuk e kanë përmirësuar jetën e popullit serb, por përkundrazi e kanë rritur brutalitetin e regjimit të Kurtit.
Në një atmosferë të tillë vendosa për këtë akt sepse Kosova dhe Metohia janë vendi im, shtëpia ime, janë pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë, dhe po na rrëmbehen me dhunë dhe populli serb po persekutohet me qëllimin përfundimtar që ta pastrojë plotësisht Kosovën dhe Metohinë etnike nga serbët. Prandaj u detyruam të përpiqemi të ndalojmë persekutimin e popullit serb dhe të mbrojmë jetën e familjeve tona dhe bashkëqytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë të tërheqim vëmendjen e regjimit të Prishtinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare se populli serb nuk do ta vuajë më këtë lloj terrori të Kurtit.
Vdekja e policit ndodhi aksidentalisht, pas së cilës filloi një përleshje e ashpër nga të dyja anët, ku mbetën të vrarë tre bashkëluftëtarët tanë - heronj, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë.
Sakrifica e tyre fisnike nuk do të harrohet kurrë.
Le të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk jemi terroristë, por luftëtarë për lirinë e popullit tonë.
Edhe një herë e theksoj publikisht se kthimi im në veri të Kosovës dhe Metohisë më 24 shtator 2023 nuk kishte asnjë lidhje me angazhimin tim të mëparshëm politik brenda Listës Serbe. Po ashtu, me këtë rast njoftoj opinionin se po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.
Unë jam i gatshëm t'i përgjigjem ftesës së autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë në lidhje me këto ngjarje. Rroftë Serbia!”, ka thënë Radoiçiq në një letër drejtuar publikut.
0 komentet