Pllenkoviq: Në kuadër të Samitit në Tiranë do të diskutohet edhe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës
Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq ka deklaruar sot se në margjinat e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë do të diskutohet për situatën globale dhe sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, si dhe për situatën në Kosovë, për të cilën, ai pret, do të diskutohet drejtpërdrejt nga përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës, Ana Brnabiq dhe Albin Kurti.
Ai theksoi se do të diskutohet gjatë drekës për marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon.
“Kosova dhe Serbia sigurisht që do të jenë një nga temat, këtu do të jenë edhe liderët e tyre, kështu që do të dëgjojmë drejtpërdrejt nga ata se si është situata. Me sa kuptova, skenari është që gjatë drekës së punës të diskutohet për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe kjo duhet të jetë gjëja kryesore”, u tha Pllenkoviq gazetarëve.
Sipas fjalëve të tij, konfliktet e luftës në botë do të jenë tema që do të prekin sot liderët e rajonit dhe të BE-së.
“Takimi i këtij viti si pjesë e procesit të Berlinit është një mundësi për të folur për ngjarjet aktuale në rajon. Në takime joformale ndoshta do të komentojmë situatën globale, pra sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, si dhe do të flasim edhe për reagimet e Izraelit, i cili natyrisht ka të drejtën e vetëmbrojtjes, por duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe humanitare. Do të diskutojmë edhe për situatën në rajon”, tha Pllenkoviq.
Ai shprehu kënaqësinë që Samiti po mbahet në Tiranë këtë vit.
“Mendoj se është mirë, kjo është një nismë që ka hyrë në vitin e nëntë me iniciativën e Angela Merkelit në 2014. Dhe mendoj se kjo është një arsye e mirë për të qenë sërish në Shqipëri, kjo është hera e dytë në më pak se një vit", theksoi Pllenkoviq.
0 komentet