Qeveria e Sërbisë aprovon paketën e masave të dakordësuar në takimin e Vuçiqit me sërbët e Kosovës
Qeveria e Republikës së Sërbisë ka aprovuar në mbledhjen e sotme paketën e masave e cila u dakordësua në takimin e presidentit të Sërbisë Aleksandar Vuçiq me sërbët e Kosovës në Rashkë të enjten më 13 prill.
"Për Qeverinë e Sërbisë ka qenë e rëndësishme që për shkak të përkushtimit të saj për një jetë më të mirë të sërbëve në Kosovë e Metohi, këto masa të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur, andaj seanca u thirr herët” thuhet në njoftimin e qeverisë.
Siç shtohet, “Paketa e masave të miratuara për mbrojtjen e të drejtave të sërbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare dhe interesave vitale shtetërore dhe kombëtare në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” përmban këto përfundime:
“1. Republika e Sërbisë kërkon një përgjigje të menjëhershme nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë (në tekstin e mëtejshëm: PIS në Prishtinë) menjëherë t'i japin fund shkeljes së marrëveshjes rreth targave dhe të lejojnë lirinë e plotë dhe pa pengesa për sërbët, automjetet e të cilëve përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Sërbisë. Për të mbrojtur këtë të drejtë të patjetërsueshme njerëzore të sërbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare, është e nevojshme që IPQP në Prishtinë të veprojë pa vonesë në përputhje me të gjitha marrëveshjet nga dialogu, por edhe me të gjitha dokumentet tjera relevante juridike ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator sërb është i autorizuar që në përputhje me të drejtat e garantuara ndaj palës sërbe me marrëveshjet e mëparshme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për këtë çështje. Në rast se IPQP në Prishtinë refuzon zgjidhjen e kompromisit se K&M vazhdon të pengojë lirinë e lëvizjes së sërbëve dhe qytetarëve të tjerë që përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Sërbisë, autoritetet kompetente të Republikës së Sërbisë do të kundërpërgjigjen me masa të forta dhe adekuate politike për mbrojtjen e rendit kushtetues. Me këtë rast autoritetet shtetërore do të marrin masa arbitrare ndaj autoveturave me targa të lëshuara nga IPQP në Prishtinë.
2. Formimi i pakushtëzuar dhe urgjent i Bashkësisë së Komunave Sërbe në Kosovë e Metohi është parakusht absolut për të gjitha hapat e mëtejshme në dialog, si dhe parakusht për kthimin e sërbëve në institucionet krahinore dhe aktivitetin e tyre të mëtejshëm politik në Krahinë. IPQP në Prishtinë janë të detyruara të sigurojnë që BKS të formohet ekskluzivisht në përputhje me katër marrëveshjet që janë arritur deri tani për këtë çështje përmes dialogut. Kjo do të thotë se BKS, duhet të ketë të gjitha garancitë e tjera ligjore të përcaktuara nga marrëveshja e parë dhe Plani i Zbatimit dhe Marrëveshja për qëllimin dhe mandatin e Ekipit Menaxhues për themelimin e BKS qysh prej vitit 2013, si dhe të gjitha elementet që të përcaktojë në detaje pozicionin e saj të veçantë ligjor, qëllimet, strukturën, autoritetet, juridiksionet, burimet e financimit dhe të gjithë faktorët e tjerë që përcaktohen saktësisht nga Parimet e Përgjithshme të vitit 2015.
3. Forcat policore shqiptare të IPQP në Prishtinë ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, ku terrorizojnë brutalisht sërbët paqësorë që jetojnë atje. Përfaqësuesit e misioneve kompetente ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë e dinë mirë këtë, si dhe faktin se IPQP në Prishtinë, përmes pranisë së këtyre forcave, shkel dispozitat e Marrëveshjes së Parë që rregullojnë çështjen e pranisë policore në veriun e Kosovës. Kjo është arsyeja përse qeveria e Republikës së Sërbisë kërkon nga misionet ndërkombëtare të lartpërmendura që në përputhje me detyrimet e përcaktuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, të marrin urgjentisht masa për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e sërbëve dhe për të siguruar tërheqjen e forcave policore shqiptare të IPQP në Prishtinë.
4. Qeveria e Republikës së Sërbisë dënon fuqishëm përpjekjen jodemokratike të IPQP në Prishtinë për të mbajtur zgjedhje për administratën lokale në katër komuna me shumicë sërbe në veri të K&M. Qeveria e Republikës së Sërbisë beson se zgjedhje të tilla nuk kanë kuptim, sepse IPQP në Prishtinë po përpiqet të krijojë një situatë në të cilën 2% e popullsisë shqiptare në veri të K&M do të qeverisin dhe vendosin për 98% të sërbëve që jetojnë atje. Ky veprim ekspozoi plotësisht karakterin antidemokratik të IPQP në Prishtinë, si dhe ambicien politike të liderit të saj Albin Kurti për t'u bërë kryebashkiak faktik i Zubin Potokut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Mitrovicës veriore me më pak se 2% të votave. Qeveria e Republikës së Sërbisë mbështet vendimin e përfaqësuesve legjitimë politikë të sërbëve në Kosovë e Metohi dhe të gjithë popullit sërb për të mos marrë pjesë në këtë proces jodemokratik dhe ilegjitim si dhe vendosmërinë e tyre për t'u kthyer në jetën politike të IPQP në Prishtinë vetëm kur kushtet e njohura për themelimin e BKS të plotësohen, duke mundësuar lirinë e lëvizjes së sërbëve në përputhje me marrëveshjet e dakordësuara për targat dhe tërheqjen nga veriu i Kosovës i forcave policore shqiptare të dislokuara ilegalisht.
5. Republika e Sërbisë do t'i ndërmarrë të gjitha masat juridike politike dhe ekonomike, për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe të drejtave themelore njerëzore dhe politike të sërbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare në Kosovë e Metohi. Gjithashtu do të forcojë masat që do të mundësojnë vazhdimin e progresit gjithëpërfshirës social dhe ekonomik në zonat sërbe. Për këtë qëllim, qeveria e Republikës së Sërbisë, përmes një programi të posaçëm investimesh, do të përshpejtojë zhvillimin infrastrukturor të këtyre zonave dhe do të rrisë masat e mbështetjes financiare për ekonominë, fermerët, të rinjtë dhe kategoritë e cenueshme sociale”.
Siç thuhet në njoftimin e qeverisë, dispozitat e kësaj pakete të masave nga pika 1 deri në 5 janë të detyrueshme për të gjitha organet e administratës shtetërore, organizmat speciale, shërbimet qeveritare, të gjithë zyrtarët, si dhe negociatorët nga pala sërbe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
0 komentet