Vuçiq: Kurti është shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë, incidenti në Banjskë nuk i shkon për shtat Serbisë

Shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është Albin Kurti, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Rojters, duke hedhur poshtë akuzat për ndonjë përfshirje të Serbisë në incidentin në Banjskë, sepse ajo që ndodhi sigurisht që nuk i shkonte për shtat Beogradit.
Vuçiq tha se Albin Kurti dëshiron të dëbojë serbët nga Kosova dhe të bllokojë zgjidhjen kompromise të nevojshme për riparimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është Albin Kurti. Është ai që i solli të gjitha këto”, tha Vuçiq.
Ai tha se refuzimi i Kurtit për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe, një organ që, sipas dispozitave të marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga viti 2013, do t'u siguronte serbëve të Kosovës autonomi më të madhe, nxiti tensionet që çuan në dhunë në Banjskë, shkruan Rojters.
“Për ne, pozita në Kosovë është padyshim e tmerrshme, por... duhet të jemi me njerëzit tanë,...të përpiqemi ta ruajmë paqen”, tha Vuçiq dhe shtoi se gjidhja është gjithmonë në dialog.
Ai përkujtoi se Beogradi dënoi vrasjen e një polici në Banjskë dhe shtoi se Serbia do të "fillojë procedurat para autoriteteve kompetente gjyqësore" dhe do të hetojë të dyshuarit.
“Cilat janë veprat penale, kjo është pyetje për prokurorin”, tha Vuçiq.
Ai akuzoi policinë e Kosovës se e qëlloi njërin prej personave të armatosur "nga një distancë prej një metri" pasi ai u dorëzua, duke e përshkruar atë si "ekzekutim".
Vuçiq mohoi akuzat e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se Beogradi ka nxitur dhunë, duke thënë se Serbia nuk do të përfitonte prej saj, pasi do të rrezikonte pozicionin e saj në negociatat e sponsorizuara nga BE me Prishtinën.
“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të na prishin pozicionin që kemi ndërtuar prej një viti? A do ta shkatërrojmë këtë brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia do të hetojë prejardhjen e armëve të konfiskuara pas incidentit nga policia e Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se Millan Radoiçiq, i cili, sipas autoriteteve në Prishtinë, ishte i pranishëm në të shtënat, “do të thirret nga prokurori”.
Rojters kujton se Serbia e konsideron Kosovën si pjesë integrale të saj dhe me mbështetjen e shumë shteteve, duke përfshirë anëtarët me veto të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe pesë anëtarë të BE-së, refuzon të njohë pavarësinë e saj. Beogradi financon shkollat, sistemin publik shëndetësor dhe shumicën e institucioneve të tjera në pjesë të Kosovës ku serbët janë shumicë.
0 komentet