Radojeviq: Kuvendi në largim ka marrë vendime të dëmshme, FSK provokon sërbët në Mitrovicën e Veriut
Kryebashkiaku i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq ka thënë se vendimi i kuvendit komunal në ikje për ripërdorimin e parcelave në Suvodol nga tokë bujqësore në atë për ndërtim, është marrë me synim ndryshimin e strukturës etnike në këtë komunë dhe shtoi se prezenca e sotme e automjeteve të FSK në Mitrovicën e Veriut, është një tentativë më shumë për shkaktimin e shqëtësimeve dhe presionit ndaj popullsisë sërbe.
Radojeviq thekson se, ndonëse qytetarët në zgjedhjet e mbajtura të dielën treguan qartë se çfarë mendojnë për udhëheqjen në largim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, ajo sërish merr vendime në dëm të shumicës së qytetarëve.
"Është interesante që të gjitha këto kërkesa janë nga ana e shqiptarëve dhe duket se ndikon direkt në ndryshimin e strukturës etnike jo vetëm në fshatin Suvodol, por edhe në vetë komunën e Mitrovicës së Veriut. Të gjitha vendimet që u morën në periudhën e mëparshme dhe që janë në dëm të shumicës së qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Veriut, udhëheqja e re dhe kuvendi i ri komunal, i cili ka legjitimitet absolut dhe ka treguar në këto zgjedhje se ka mbështetjen absolute të qytetarëve, do t'i shqyrtojë dhe ato që janë në kundërshtim me ligjin dhe interesat e qytetarëve, do të anulohen absolutisht", tha Radojeviq.
Kryebashkiaku i zgjedhur nga radhët e Listës Sërbe, spegon se Kuvendi momentalisht është në mandat teknik dhe se nuk duhet të marrë vendime të mëdha sikurse tha, sepse nuk ka legjitimitet. "Duke pasur parasysh se vendimi është marrë në kundërshtim me statutin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, si dhe me vetë ligjet, i bëjmë thirrje Ministrisë së Vetëqeverisjes Vendore që të anulojë këtë vendim. Ftojmë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që më në fund të marrin qëndrim dhe të reagojnë ndaj vendimeve që merren në dëm të shumicës së popullsisë së komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të marrin masa në interes të të gjithë qytetarëve, kryesisht të komunitetit shumicë që jeton në këtë qytet", theksoi Radojeviq.
Ky i fundit tha se sot Lista Sërbe mori numër të madh telefonatash nga qytetarë të shqetësuar që panë automjete të FSK në Mitrovicën e Veriut saktësisht pranë benzinatos së NIS në hyrje të qytetit.
"Fatkeqësisht, pjestarët e FSK erdhën të provokonin popullsinë shumicë të komunës së Mitrovicës së Veriut, ndonëse është e qartë se sipas të gjitha marrëveshjeve, për ardhjen në këtë zonë u nevojitet ekskluzivisht miratimi i komandantit të KFOR. Raportet dhe disa spegime se ata dyshohet se kanë humbur rrugën janë absolutisht të papranueshme për qytetarët e Mitrovicës së Veriut. Ky është një provokim i qartë që ka për synim shkaktimin e reagimit nga popullsia e shumicës, të sjellë trazira dhe ndoshta të vërë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura", tha Radojeviq.
Sikurse shtoi ky i fundit, në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, qytetarët treguan se çfarë mendonin për strukturën komunale në largim dhe regjimin e Albin Kurtit.
“Qytetarët i kanë dhënë qartë mbështetjen e tyre Listës Sërbe. I falënderojmë që nuk i’u nënshtruan këtyre provokimeve dhe që nuk reaguan. I bëjmë thirrje komandantit të KFOR të reagojë dhe i paralajmërojmë përfaqësuesit e Prishtinës se lëvizje të tilla mund të shkaktojnë eskalim të situatës në veri, kryesisht në Mitrovicën e Veriut, por edhe në komuna të tjera”, konkludoi Radojeviq.
0 komentet