Raporti i UNMIK-ut: Situata e sigurisë e qëndrueshme, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit është i kufizuar
Situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur e qëndrueshme, por bllokada institucionale ka vazhduar, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka qenë i kufizuar, ndërsa janë rritur edhe tensionet ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe pushtetit lokal, veçanërisht në veri të Kosovës, vlerësohet në raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për punën e UNMIK-ut.
Në raportin, i cili përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator dhe që do të shqyrtohet nesër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thuhet se tensionet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe pushtetit lokal në veri janë rritur për shkak të çështjeve që lidhen me kompetencat, vendimmarrjen në nivel komunal, rrënimin e objekteve dhe dëbimet, si dhe veprimet e Policisë së Kosovës.
Theksohet gjithashtu se disa serbë janë arrestuar për krime të dyshuara lufte, ndërsa tre serbë janë dënuar për ngjarjet në Banjskë.
Në raport thuhet gjithashtu se gjatë periudhës nga prilli deri në gusht, policia ka ndaluar disa serbë të Kosovës, përfshirë katër të mitur, për shkak të mbishkrimeve ose figurave në bluzat e tyre, ndërsa më 28 qershor, pas kremtimit të Vidovdanit në Gazimestan, janë arrestuar 37 persona për prishje të dyshuar të rendit dhe qetësisë publike. Ata janë shpallur fajtorë pa u shqyrtuar ankesat e tyre për keqtrajtim nga policia.
Mbyllja dhe pengimi i punës së institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë kanë shtuar shqetësimet e serbëve të Kosovës lidhur me qasjen në shërbime dhe sigurinë juridike, ndërsa kufizimet që kanë të bëjnë me simbolet fetare dhe kulturore, veprimet e organeve të zbatimit të ligjit, pretendimet për keqtrajtim nga policia, si dhe rrënimi i pronave dhe dëbimet, kanë kontribuar në ndjenjën e pasigurisë dhe trajtimit të pabarabartë në mesin e serbëve të Kosovës, konstatohet në dokument.
Theksohet gjithashtu se vazhdojnë të ekzistojnë sfida lidhur me riintegrimin e “gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës”, krahas shqetësimeve për të drejtat gjuhësore, lirinë e mediave dhe liritë fetare.
Përveç kësaj, vihet në dukje se çështja e personave të zhdukur ka vazhduar të jetë objekt politizimi.
Në dokument thuhet gjithashtu se KFOR-i më 10 gusht ka njoftuar tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si dhe përfshirjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit, për çka Lista Serbe dhe Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit kanë shprehur shqetësim për sigurinë.
Po ashtu, thuhet se ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka vazhduar rrënimin e objekteve në pronësi të serbëve pranë Liqenit të Gazivodës, pavarësisht thirrjeve për ndërprerjen e këtyre veprimeve, përfshirë edhe thirrjen e Bashkimit Evropian, i cili ka theksuar se veprime të tilla mund të minojnë sundimin e ligjit.
Në raport vlerësohet gjithashtu se situata në veri të Kosovës ka mbetur e qetë, por e brishtë, për shkak të fërkimeve të vazhdueshme ndërmjet autoriteteve qendrore dhe atyre lokale. Si shembull përmendet fakti se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Prishtinë, më 23 prill, ka nxjerrë një udhëzim administrativ që rregullon organizimin, funksionimin dhe kompetencat e bordit të përbashkët të komunave të Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet nesër në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndërsa raporti i mëparshëm është shqyrtuar më 9 prill, kur Serbia u përfaqësua në mbledhje nga ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq.
komentet