Nikoliq: Raporti i Unmik nuk flet mjaftueshëm për eksodin e sërbëve, për katër vite më shumë se 700 sulme

Nikolić
Burim: Kosovo Online

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për K&M Daniela Nikoliq është shprehur për seancën e Këshillit të Sigurimit të KB në të cilën u diskutua rreth raportit 6 mujor të punës së UNMIK, se “situata është e rëndë dhe e brishtë”, nën theksin se rreziqet e sigurisë janë të përditshme. Megjithatë, ajo vuri në dukje dhe eksodin e heshtur të sërbëve që u fol jo mjaftueshëm në raportin ndërkombëtar.

Nikoliq tha për RTS se situata e sigurisë është jostabile dhe e ngarkuar me incidente të shpeshta.

“Vetëm gjatë vitit 2025 janë shënuar 137 sulme etnikisht të motivuara ndërsa nëse do të shikojmë periudhën e katër viteve të fundit, ky numër kapërcen 700“, tha Nikoliq.

Sikurse shtoi, të dhëna të tilla tregojnë se rreziqet e sigurisë janë "të pranishme në çdo hap dhe në çdo moment", çka ndikon më shumë tek vendimet e njerëzve për të braktisur Kosovën.

Eksodi i heshtur si problem kyç

Nikoliq tregon se raporti i UNMIK nuk flet mjaftueshëm për shpërnguljen e sërbëve, i cili sikurse vlerësoi, paraqet një nga problemet më serioze.

"Çdo kërcënim institucional për sërbët, paraqet eksod potencial”, tha Nikoliq duke shtuar se ndjenja e pasigurisë thellohet edhe më në situatat kur vihen në pikpyetje të drejtat themelore dhe identiteti.

Duke folur për seancën e Këshillit të Sigurimit, vlerësoi se janë të dukshme ndasitë mes shteteve anëtare.
Konstatoi se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare insiston në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244, ndërsa të tjerët mbështesin qëndrimet e Prishtinës, përfshirë kërkesat për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Roli i UNMIK dhe mosmarrëveshjet rreth mandatit

Duke komentuar iniciativat për pakësimin apo heqjen e UNMIK, Nikoliq theksoi se prania e atij misioni është ende e nevojshme.

"Pavarësisht qëndrimeve të shteteve të caktuara, fakti është se kushtet e sigurisë dhe institucionale në terren nuk janë të tilla që roli i UNMIK të mund të konsiderohet konkludues", theksoi Nikoliq.

Kjo e fundit shtoi se Sërbia insiston në forcimin e rolit të këtij misioni, si dhe në respektimin konsistent të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Nikoliq vuri në dukje se formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe, është çështje kyçe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

"Për ne, kjo është tema mbi të gjitha temat", tha ajo, duke shtuar se pa hapa konkretë në atë drejtim, nuk mund të pritet përparim thelbësor në dialog.

Ajo tha se është në dorën e Bashkimit Europian të inkurajojë Prishtinën të nisë proçesin e formimit të BKS sepse, sikurse tha, bëhet fjalë për detyrim i marrë përsipër.

Mundësi për vijimësi të dialogut

Duke folur rreth angazhimit të të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, Daniela Nikoliq vlerësoi se qasja e tij është disi ndryshe në raport me periudhën e mëparshme dhe se çel hapësirë ​​për diskutime më konstruktive.

"Roli i tij i ndërmjetësit është i ndryshëm në raport me Mirosllav Llajçak dhe bisedat me të duken më konstruktive", tha Nikoliq.

Kjo e fundit theksoi se përfaqësuesit e Beogradit në bisedime me Sorensen, vurën në dukje domosdoshmërinë e formimit të BKS dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat sikurse vlerësoi, e vështirësojnë edhe më dialogun.
Duke parë jetën e përditshme të sërbëve në Kosovë, Nikoliq vuri në dukje presionin në rritje, veçanërisht në prag të festave të mëdha.

Përmendi shembullin e heqjes së flamujve sërbë në Graçanicë, duke vlerësuar se lëvizje të tilla thellojnë më tej ndjenjën e pasigurisë dhe kërcënimit.

"Kur ju pengohet e drejta për emër, gërmë, flamur dhe identitet, atëherë është e qartë se në çfarë situate ndodhet një popull", tha Nikoliq.