Recaj: Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mospërmbushje të Marrëveshjes së Brukselit
Profesori në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Recaj, me rastin e 11 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deklaroi se edhe sot palët po i “kalojnë topin” njëra-tjetrës për gjithçka që nuk është plotësuar.
“Po flasim për një situatë që në njëfarë mënyre është rrugë e humbur në proces, ndryshimet sociale varen nga elitat politike në Kosovë si dhe nga ndryshimet politike në Serbi”, tha Recaj.
Fakti që palët “ia kalojnë topin palës tjetër”, sipas Recajit, ka një efekt spirale, sepse ndikon në besimin mes pjesëmarrësve në dialog.
“Sepse nëse nuk i kemi të përmbushura obligimet e marra më parë, si mund të pajtohemi dhe t'i besojmë njëri-tjetrit për disa marrëveshje të reja. Kështu që unë mendoj se pjesëmarrësit në dialog disi sillen në rreth, pa një rrugë të qartë për të dalë nga ajo situatë”, ka shtuar Recaj.
Në këtë kontekst, thotë Recaj, opinioni është i hutuar edhe për marrëveshjen e re të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të hutuar kur është fjala për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, jo për atë se cilat janë detyrimet e dakorduara, por nga mënyra se si pjesëmarrësit në dialog premtuan të përmbushin detyrimet dhe kushtet e marra që janë pjesë e marrëveshjen gojore. Nga të dyja palët u kërkua nënshkrimi i marrëveshjes, njëra palë tha se e pranojmë marrëveshjen, por ne nuk duam ta nënshkruajmë, ndërsa pala tjetër tha nëse nuk ka nënshkrim, atëherë ajo marrëveshje nuk ka legjitimitet dhe kjo ka krijuar konfuzion në proces”, ka përfunduar Recaj.
komentet