Sejdarashi: Kosova dëshiron të rrisë eksportet në vendet e rajonit
Bardh Sejdarashi, kryeredaktor i ekonomisë në televizionin Abc News në Tiranë, tha për Kosovo online se ai është i bindur se qeveria e Kosovës nuk mund të rivendosë kufizimet në hyrjen e mallrave nga Serbia dhe se Kosova, e cila kryeson CEFTA-n në vitin 2025, do të ketë si qellim kryesor, dhe ndoshta i vetmi synim është rritja sa më e madhe e shkëmbimit ekonomik.
“Kosova do të synojë të rrisë sasinë e produkteve të saj që mund të jenë konkurruese dhe të shiten në rajon. Kosova ka një problem të madh sepse eksporton pak në vendet e rajonit, në kuadër të CEFTA-s, dhe ka shumë importe, prandaj është e detyruar të stimulojë rritjen e prodhimit vendor, por edhe të mos pengojë hyrjen e produkteve nga janë të nevojshme për tregun e brendshëm”, thotë Sejdarashi.
Kosova, shton ai, dëshiron të eksportojë sa më shumë mallra në vendet e rajonit, ndërsa në anën tjetër dëshiron të minimizojë importet sepse dëshiron të stimulojë prodhimin vendor.
“Kosova ka tregti në rritje, veçanërisht me Shqipërinë, dhe importet nga Maqedonia e Veriut janë rritur. Po ashtu, treguesit e eksportit dhe importit me Serbinë janë shumë të mirë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ai kujton se Prishtina kishte probleme me CEFTA-n sepse në mënyrë të njëanshme vendosi kufizime të rrepta për hyrjen e mallrave dhe shërbimeve nga Serbia, por që i hoqi ato vitin e kaluar pas ndërhyrjes së fortë të Gjermanisë.
“Situata u bë aq e rrezikshme sa që në minutën e fundit Kosova u kërcënua me përjashtim nga marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë. Kjo nuk ndodhi sepse Kosova vendosi shpejt, pas kërkesës së Gjermanisë, të pezullojë të gjitha kufizimet që kishte vendosur për mallrat që vijnë nga Serbia. Jam i bindur se institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, nuk mund t’i rikthejnë kufizimet pas marrëveshjes dhe pajtimit të arritur në nëntor të vitit të kaluar”, thotë Sejdarashi.
komentet