Shollc dhe Makron përcollën kërkesat - duhen zgjedhje të reja në veri dhe BKS
Presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelari gjerman Olaf Shollc sot ia kanë përcjellë presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani kërkesat e tyre për de-përshkallëzim të situatës në Kosovë – zgjedhje të reja në veri dhe formimi e Bashkësisë së Komunave Serbe.
"Kërkesa e parë është që të mbahen zgjedhje të reja në katër komuna në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e serbëve. Më pas, si prioritet dhe pa vonesë, t'i qasemi formimit të BKS-së", tha Makron në deklaratë për gazetarët.
Ai tha se tani të dyja palët do të zhvillojnë konsultime dhe do të vijnë me përgjigje të qarta javën e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, siç shtoi ai, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Gjuzepe Borel, do të ketë mundësinë të organizojë një takim në nivel të negociatorëve kryesorë për çështjen e BKS-së.
Makron tha se fillimisht ka folur ndaras me kancelaren Shollc me Vuçiqin dhe Osmanin dhe më pas kanë pasur një takim të përbashkët.
“Siç e dini, Gjermania dhe Franca propozuan një plan për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin palët e pranuan dhe që duhet të zbatohet”, kujtoi ai.
Ai tha se tani ka tensione në veri të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet, të cilat janë organizuar, për fat të keq, edhe pse nuk ka pasur garanci se do të mund të zhvillohen mirë.
“Katër kryetarë komunash u zgjodhën me më pak se pesë për qind të votave, gjë që nuk është një kusht për legjitimitet”, shpjegoi presidenti francez.
Kancelari Shollc, duke folur për mediat, tha se së bashku me Makronin janë përpjekur të kontribuojnë në uljen e tensioneve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe mes Kosovës dhe Serbisë.
“Situata në Kosovë është serioze dhe kërkon guximin e të dyja palëve për de-përshkallëzim. Ne duhet të përfitojmë nga mundësitë që na ofron marrëveshja evropiane që është në tryezë dhe të mos e humbasim këtë mundësi vetëm se na mungon guximi”, shtoi Shollc.
Ai theksoi se tani është e rëndësishme që të dyja palët të bëjnë gjithçka për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t'u kthyer në "frymën e mirëkuptimit".
Kjo, shtoi ai, do të thotë se qytetarët mund të marrin pjesë në zgjedhje, por kjo përfshin edhe formimin e BKS-së.
Shollc theksoi se të gjithë duhet të kontribuojnë për të dalë nga spiralja e tensioneve.
0 komentet