Simiq: Nuk është koha për çfarëdo ndryshim të prezencës së KFOR

Igor Simić
Burim: Kosovo Online

Anëtari i Kryesisë së Listës Sërbe Igor Simiq theksoi se nuk është koha që të ndërmerret çfarëdo ndryshimi të prezencës së Kfor në urën kryesore të Ibrit, si dhe në afërsi të Manastirit të Deçanit dhe se kjo është në kundërshtim me interesat e popullit sërb në Kosovë.

"Ky nuk është vetëm qëndrimi i Listës Sërbe, por qëndrimi i popullit sërb në Kosovë. Jemi absolutisht kundër dhe besojmë se nuk është koha për të bërë ndonjë ndryshim të prezencës së KFOR në urën kryesore të qytetit mbi Ibër, si dhe në afërsi të Manastirit të Deçanit. Kjo është në kundërshti me interesat e popullit sërb dhe asaj çka ndodh në terren", spegoi Simiq për TV Prva.

Ai tha se është e papranueshme që njerëz me uniforma të Policisë Kosovare të cilët keqtrajtojnë e rrahin sërbët, të asistojnë ata që shembin paligjshmërisht shtëpi sërbe, që mos të menaxhojnë pikën nevralgjike siç është ura mbi Ibër, e cila kujton gati 1,000 sulme ndaj sërbëve.

"Vetëm kjo ide flet në favor të faktit se dikush dëshiron, përveç gjithë presionit që ushtron Kurti, të ushtrojë presion më shumë dhe t’ua rëndojë jetën sërbëve në Kosovë e Metohi, veçanërisht kur po afron viti i ri shkollor dhe kur po afron vendimi në Hagë ndaj udhëheqësve të UÇK i planifikuar për 16 shtator, kur siguria duhet të rritet", tha Simiq.

Duke folur për situatën në Zubin Potok, ai tha se përditë kryhen kontrolle dhe ndalime të sërbëve në atë komunë.

"Shqetësimi është i madh, nuk do të them frikë, sepse pas 27 vitesh të asaj që kemi mbijetuar në këto vise, nuk ka më frikë, por ka shqetësim për atë që do të sjellë e nesërmja. Zubin Potoku këto ditë është veçanërisht nën sulm. Të gjithë njerëzit e ndershëm që qëndruan në vatrat e tyre ishin nën sulm nga regjimi, ndërsa Nenad Rashkoviq është shembulli më ekstrem se si policia kosovare i trajton sërbët", theksoi Simiq.

Ky i fundit theksoi se të dhënat e Listës Sërbe flasin rreth asaj se mjaft sërbë përjetuan fat të ngjashëm, por nga frika për sigurinë e tyre dhe sigurinë e familjeve të tyre, nuk janë të gatshëm të flasin publikisht.

"Përditë flasim me ta që kanë mandatin për të ofruar siguri për qytetarët, EULEKS, KFOR dhe përfaqësuesit e Pesëshes me dëshirën për të reaguar dhe më në fund për të dalë nga gjendja e gjumit apo e letargjisë. Nuk kërkojmë që t'i merret diçka dikujt, por që të respektohen të drejtat tona. Nëse në Komunën e Gjakovës shemben shtëpi që nuk e kanë zgjidhur çështjen e pronësisë pas shtatë vitesh procedurash gjyqësore, si është e mundur që shtëpitë e sërbëve të shemben qëllimshëm pak ditë nga marrja e njoftimit dhe madje edhe kur ai mungon", spegoi Simiq.

Ky i fundit theksoi se në Zubin Potok kryhen kontrolle dhe shoqërime të përditshme të sërbëve.

"Pas konferencës sonë, vazhdohet me praktikën që njerëzit arrestohen, mbahet diku pa dijeninë e avokatëve dhe familjeve dhe pas disa orësh lirihen magjishëm. Për traumat që përjetojnë nuk janë të gatshëm të flasin publikisht, por në bisedën me ne, përcjellin se janë keqtrajtuar dhe abuzuar psikologjikisht. Kjo është diçka që duhet t'i shqetësojë të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare që thonë se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar", nënvizoi Simiq.