Spahiu: Gjykata Kushtetuese edhe më shumë e ka ngatërruar krizën politike në Kosovë
Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka hyrë në fuqi ligjore të hënën, edhe më shumë e ka ngatërruar krizën politike në Kosovë dhe se zgjidhja më e mirë do të ishte anulimi i “vendimit të palogjikshëm” të këtij gjykati nga viti 2014, sipas të cilit vetëm partia me më shumë mandate ka të drejtën për postin e kryetarit të Kuvendit.
„Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës edhe më shumë e ka ngatërruar krizën politike për shkak se nuk jep dalje nga kjo situatë, dhe arsyeja për këtë është vendimi kushtetues i vitit 2014, kur u mor një vendim absurd, i palogjikshëm, që posti i kryetarit të parlamentit i takon partisë së parë (partisë me më shumë deputetë) dhe se për këtë duhet të votohet. Nëse i takon partisë më të madhe, pse duhet të votohet? E, nëse duhet të votohet, atëherë rregulli është që kryetar bëhet ai që merr më shumë vota, pa marrë parasysh nga cila parti vjen“, ka deklaruar Spahiu për Kosovo online.
Ai thekson se Gjykata Kushtetuese, në vend që ta anulonte vendimin e marrë para 11 vitesh, me vendimet e reja hyn në një “labirint edhe më të thellë”.
„Gjykata Kushtetuese, në vend që ta anulonte atë vendim të para 11 viteve, vazhdon të futet gjithnjë e më thellë në atë labirint që nuk jep asnjë dalje. Imagjinoni që tani është përcaktuar se vetëm tri herë mund të votohet për të njëjtin kandidat. Por çka ndodh nëse asnjëri nga kandidatët që i propozon Kurti, gjë që është shumë e mundur, nuk merr shumicën e votave? Çka atëherë? Dhe e gjithë kjo brenda një afati prej një muaji. Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë zgjidhje për një situatë të tillë“, ka sqaruar Spahiu.
Ai shton se absurdi më i madh është se ende mbetet e panjohur se çka ndodh nëse brenda 30 ditësh dhe pas tre tentativave nuk zgjidhet kryetari i ri i parlamentit të Kosovës.
„Ata nuk e kanë sqaruar këtë. Kjo është një zgjidhje krejtësisht joprofesionale dhe jo-patriotike. Kjo është komplikim shtesë i një situate që është krijuar që nga ai vendim idiotik i vitit 2014. Edhe nëse shkohet në zgjedhje, nëse nuk anulohet vendimi i vitit 2014, çka nëse Kurti përsëri merr më shumë vota, por jo më shumë se gjysmën? Atëherë do të përsëritet e njëjta situatë dhe do të humbasim edhe një vit në procedura të palogjikshme dhe të padobishme për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj“, ka theksuar Spahiu.
Për ta përshkruar absurditetin e situatës, që sipas tij është një “idiotizëm”, Spahiu jep shembullin e një ndeshjeje futbolli në të cilën pushteti dhe opozita janë ekipe, ndërsa Kushtetuta – rregullat e futbollit që i zbaton “gjyqtari në fushë”, pra Gjykata Kushtetuese.
„Imagjinoni një gjyqtar budalla që i interpreton rregullat në atë mënyrë që ndeshjen e fiton ekipi që pranon më shumë gola, e jo ai që shënon më shumë gola, ndërkohë që autogolat nuk vlejnë. Do të kishim dy ekipe që nuk do të luanin, sepse sapo një ekip të shënonte gol, do ta humbiste ndeshjen. Publiku – simpatizantët e pushtetit do t’i pyesnin opozitarët pse nuk po luajnë, e këta do të përgjigjeshin – luani ju. Pra, ata nuk janë fajtorë pse nuk luajnë, por fajtor është gjyqtari, në këtë rast Gjykata Kushtetuese, e cila ka dhënë një interpretim idiot të Kushtetutës së Kosovës“, thekson Spahiu.
0 komentet