Çfarë epilogu të krizës politike në Kosovë dëshirojnë aleatët e saj?

Skupština Kosova
Burim: Kosovo Online

As në shtyrjen e re që partitë politike në Kosovë e morën nga Gjykata Kushtetuese për formimin e Kuvendit, nuk shihet fundi i krizës politike. Aleatët e Kosovës u bëjnë apel liderëve politikë që të arrijnë marrëveshje, por siç konstatojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online, ata nuk kanë mekanizma presioni as mbi Vetëvendosjen, as mbi opozitën. Interesi i tyre është që qeveria e re të jetë stabile dhe bashkëpunuese në dialogun me Beogradin, ndërsa ekzistojnë mendime se ata do të donin më shumë të shihnin në pushtet opsionet që deri tani kanë qenë në opozitë.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Bllokada e Kuvendit jo vetëm që e shtyn përpara progresin në aspiratat e ardhshme të Prishtinës, por gjithashtu rrezikon edhe besimin e arritur, u tha së fundmi nga ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Dy ditë më parë, në një komunikatë të re, u shpreh pritshmëria që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të realizohet brenda afateve të parashikuara dhe të gjithë aktorët politikë u ftuan të jenë të gatshëm për kompromis.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu theksoi se bllokada e parlamentit ngadalëson përparimin e Kosovës drejt qëllimeve të saj dhe rrezikon integritetin e institucioneve. Edhe amerikanët i bënë thirrje liderëve politikë të Kosovës që ta marrin përgjegjësinë e tyre seriozisht dhe të punojnë së bashku për arritjen e marrëveshjes për konstituimin e Kuvendit.

Apeli që deputetët të respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit erdhi edhe nga ambasada e Italisë, ku u tha se Kosova po humb shumë mundësi për shkak të bllokadës institucionale.

Kë do të donin më shumë aleatët dhe partnerët e Kosovës të shihnin si udhëheqës të qeverisë së re – Vetëvendosjen apo partitë opozitare?

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, nuk ka dilema. Interesi kryesor i aktorëve ndërkombëtarë, thotë, është që Vetëvendosje të mos jetë në pushtet.

“Aleatët e Prishtinës do të dëshironin që opsionet opozitare të vinin në pushtet, por për momentin ata kanë shumë pak ndikim. Ata nuk kanë mekanizma shantazhi apo presioni drastik, as ndaj Vetëvendosjes, as ndaj partive opozitare,” thotë Surlliq për Kosovo online.

Në këtë moment, thrkson ai, aktorët ndërkombëtarë kryesisht e shohin Partinë Demokratike të Kosovës si partinë bosht që, në një skenar të mundshëm të përsëritjes së zgjedhjeve, do të ishte ajo që do të udhëhiqte qeverinë e re.

“Gjithashtu janë të vetëdijshëm se Kurti po përqendron gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e tij dhe se është shumë i mundshëm skenari që ai të jetë sërish në krye të qeverisë nëse përsëriten zgjedhjet. Për këtë arsye ata janë shumë të kujdesshëm – komunikojnë, bisedojnë, flasin për opsione të ndryshme, por kurrë nuk do të dëgjoni një qëndrim të qartë se janë kundër qeverisë së Vetëvendosjes apo se e mbështesin me gjithë zemër koalicionin e partive opozitare dhe atyre minoritare,” thekson Surlliq.

Është e rëndësishme për aleatët e Kosovës, shton ai, që të ketë një lloj stabiliteti dhe një qeveri me të cilën ata mund të jenë një partner i besueshëm.

"Për ta është e rëndësishme, mbi të gjitha, që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është klinikisht i vdekur, të rinovohet përmes qeverisë së re dhe aktorëve të rinj politikë, dhe që Prishtina të jetë ende një palë bashkëpunuese", thotë Surlliq.

Megjithatë, problemi në variantin në të cilin Vetëvendosja do të shkonte në opozitë, siç beson ai, është se do të ishte një opozitë shumë e fortë.

"Asnjë nga aktorët politikë nuk është i gatshëm ta pranojë atë patate të nxehtë që në fillim dhe ta zbusë politikën që është vendosur tashmë, dhe që është diskriminimi sistemik kundër komunitetit serb në veri të Kosovës, si dhe ta rinovojë dialogun me Beogradin ashtu siç duhet. Ata e dinë se kushton shumë politikisht dhe se menjëherë do të paraqiteshin si tradhtarë të interesave kombëtare për hir të një lloj marrëveshjeje me aktorët ndërkombëtarë", thekson ai.

Surlliq beson se partitë do të lobojnë që rezultati i krizës politike të mos jenë zgjedhje të reja dhe që të arrihet një marrëveshje për formimin e institucioneve, por ai thotë se ata e shohin se ka shumë pak shanse për një gjë të tillë sepse edhe aktorët në opozitë po negociojnë individualisht me Vetëvendosjen.

"Në fund të fundit, ata gjithashtu shohin se është imponuar një narrativë që e bën të vështirë çdo ide për normalizimin e marrëdhënieve ose dialogun me Beogradin, kushdo që është në pushtet në Prishtinë", përfundon ai.

Avni Mazreku, profesor i së drejtës evropiane nga Prishtina, është i mendimit se vendet mike dhe sponsorizuese të Kosovës duhet të shohin një qeveri të qëndrueshme që e kupton nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe procesin e rritjes së numrit të vendeve që e njohin Kosovën. Për ta, çështja specifike e zgjedhjes së Kryeministrit të Kosovës, siç thotë ai, nuk ka ndonjë peshë të veçantë.

“Miqtë e Kosovës, duke pasur parasysh që vijnë nga vende demokratike dhe shumë të zhvilluara, nuk kanë kushte specifike siç ishte rasti para 15 viteve, kur demokracia në Kosovë ishte e brishtë. Mendoj se miqtë e Kosovës duan një Qeveri stabile dhe të aftë që mund të zgjidhë çështjet e hapura politike të Kosovës,” tha Mazreku për Kosovo online.

Ai kujton se Gjykata Kushtetuese ka caktuar një afat brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet dhe thotë se aktorët politikë që përbëjnë skenën politike të Kosovës duhet të gjejnë formulën për t’iu përgjigjur pyetjes nëse partia fituese duhet ta formojë Qeverinë apo këtë duhet ta bëjë opozita.

"Besoj se i gjithë spektri politik që përbën skenën politike të Kosovës duhet të formojë institucionet e Kosovës brenda afatit ligjor. Së pari kuvendi, pastaj Qeveria dhe më pas institucionet e tjera. Tani po flasim për një afat kushtetues që aktorët politikë në Kosovë nuk duhet ta shkelin. Nëse ky nuk respektohet, do të kalojmë nga kriza politike në të cilën ndodhemi tani në një krizë ligjore. Besoj se aktorët politikë në Kosovë nuk janë aq të papjekur dhe se nuk do ta shkelin këtë afat", është optimist Mazreku.

Marko Millenkoviq nga organizata joqeveritare "Nisma e Re Sociale" nga Mitrovica e Veriut vëren se nuk ka aktivitete apo presione konkrete nga bashkësia ndërkombëtare që synojnë zgjidhjen e krizës politike në Prishtinë.

"Herë pas here kemi disa deklarata që kryesisht kanë të bëjnë me thirrjet që subjektet politike të orientohen drejt zgjidhjes së situatës dhe të arrijnë kompromis, por asgjë konkrete. Ekzistojnë thirrje nga komuniteti ndërkombëtar që presionet mbi Gjykatën Kushtetuese nuk janë të pranueshme dhe se është e nevojshme të ulen tensionet dhe të zhbllokohen institucionet", tha Millenkoviq.

Siç thotë ai, ka mendime se me ndryshimin e qeverisë, Kosova do të rivendoste një bashkëpunim më të mirë me bashkësinë ndërkombëtare, por ai thekson se për momentin është e vështirë të vlerësohet se cilat janë interesat e aleatëve të Kosovës.

 Është e rëndësishme, beson ai, të kuptohet se qeveria e Vetëvendosjes deri diku i ka dëmtuar marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar dhe se ndoshta që nga viti 2008 statusi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar është më kritik.

“Marrëdhënia mes komunitetit ndërkombëtar dhe Kosovës është nën sfida të caktuara, sepse qeveria e mëparshme ndërmori shumë hapa të njëanshëm dhe nuk dëshironte të bënte kompromise,” vlerëson ai.

Nëse Vetëvendosje mbetet si aktori kryesor edhe në periudhën e ardhshme, ai nuk pret shumë ndryshime.

“E pamë që ata nuk e shohin bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar si faktor kyç për realizimin e pozicioneve në komunitetin ndërkombëtar. E dimë se Kosovës ende i mungon përparimi drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si edhe në lidhje me njohjet ndërkombëtare. Vetëvendosja ka ndikuar që komuniteti ndërkombëtar të mos merret më aq aktivisht me avokimin për Kosovën. Madje edhe aleatët që kanë qenë aktivë në këtë drejtim gjatë viteve të fundit, nuk janë më aq. Para së gjithash administrata amerikane, ku kemi pasur një ndryshim pushteti,” vlerëson Millenkoviq.

Në këtë moment, shton ai, duket se të gjithë po presin të shohin nëse administrata e re amerikane do të përfshihet më aktivisht në çështjen e Kosovës, e mësuar nga shembulli i Marrëveshjes së Uashingtonit nga mandati i mëparshëm i Donald Trump se iniciativa mund të vijë papritur, pa shumë hapësirë për negociata, por duke imponuar një marrëveshje ose zgjidhje të caktuar që opsionet politike në atë moment duhet ta pranojnë.

Ai thotë se BE-ja nuk e ka forcën e faktorit të stabilitetit që mund të ndikojë në disa vendime politike në Prishtinë.

"Marrëdhënia midis qeverisë së mëparshme të Vetëvendosjes dhe BE-së nuk ishte pikërisht një përrallë. Kishte mosmarrëveshje, dhe ka ende disa," thekson ai.

Që opozita të ketë mundësinë të marrë iniciativën, siç shpjegon ai, është e nevojshme që Vetëvendosja ta zhbllokojë procesin sepse ende e mban situatën në dorë. Ai beson se zhbllokimi i institucioneve do të ndodhte nëse Gjykata Kushtetuese do të propozonte që në Kuvend të propozohej një kandidat për kryetar nga radhët e opozitës.

"Me disa ndryshime në kushte, ndoshta do të përfundonim në një situatë ku opozita do të luante një rol më aktiv në zgjidhjen e problemit”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

PDK, si partia që fitoi më shumë vota pas Vetëvendosjes, dhe LDK, beson ai, mund të jenë në gjendje të bëjnë një kompromis dhe të ndryshojnë situatën në institucione.

“Megjithatë, mendoj se jemi ende më afër zgjedhjeve të reja sesa disa kompromiseve politike”, përfundon Millenkoviq.