Specialet arrestojnë sërbin në Mitrovicën e Veriut, dëgjohen sirenat, mbi qytet qarkullojnë helikopterë dhe dronë
Në Mitrovicën e Veriut rreth drekës, janë dëgjuar sirenat e mbi qytet momentalisht qarkullojnë helikopterë dhe dronë ndërkohë që ka një prezencë të madhe të policisë dhe mjeteve të blinduara të forcave speciale në lagjen e Boshnjakëve.
Siç mëson Kosovo onlajn, efektivët e njësisë speciale të policisë kosovare kanë arrestuar sot edhe një tjetër sërb pas të cilës janë dëgjuar sirenat.
Në rrugët e Mitrovicës së Veriut në këtë moment janë grumbulluar qindra qytetarë dhe numri i tyre rritet nga minuti në minutë.
Siç bëjnë të ditur gazetarët e Kosovo onlajn, në lagjen e Boshnjakëve ka prezencë të madhe të efektivëve të policisë kosovare, si dhe mjete të blinduara të ROSU.
Në Zveçan sot fill para aksionit të policisë speciale kosovare në Mitrovicën e Veriut, u mbajt protestë për arrestimin e Dushan Obrenoviqit dhe Radosh Petroviqit ku qytetarët e tubuar kërkuan lirimin e tyre.
Avokati i Dushan Obrenoviqit, Predrag Milkoviq ka thënë se gati 50 metra larg vendit që sot u tubuan qytetarët, u arrestua klienti i tij dhe Radosh Petroviq ndërsa paqësisht shprehën zemëratën e tyre për imponimin e dhunshëm të kryekomunarëve ilegalë nëpër komuna në veri të Kosovës dhe prezencës së forcave policore speciale kosovare.
"Gati 50 metra prej këtej u arrestuan Dushan dhe Radosh ndërkohë që po protestonin paqësisht duke shprehur zemëratë. Sot ndaj Dushanit rëndojnë katër vepra të rënda penale, nëse këto ndërmerren, unë nuk mund të besoj më tek ky sistem gjyqësor. Klienti im është i pafajshëm dhe unë për të po luftoj deri në atomin e fundit të forcës sime", ka thënë Milkoviq, ku u shfaqi tubuesve provat e pafajësisë së Dushanit dhe Radoshit.
Avokati kujtoi se Obrenoviq dhe Petroviq prej 16 ditësh ndodhen në paraburgim dhe ftoi qytetarët të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje.
komentet