Stankoviq: BKS si pikë nevralgjike
Nuk duhet të ketë pritje të mëdha nga takimi në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse i gjithë dialogu nën patronazhin e BE-së është i pakuptimtë, sipas analistit politik Dejan Vuk Stankoviq, transmeton Sputnjik.
Stankoviq thotë se nuk duhet të ketë pritje të mëdha nga takimi, duke pasur parasysh karakterin e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Kosovë, të cilat u bojkotuan nga serbët dhe njohjen e atyre zgjedhjeve nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht perëndimi politik, që është e papranueshme për Serbinë.
Ai supozon se do të diskutohet në parim për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe të pagjeturve dhe shpreh optimizëm më të madh për rezultatet e diskutimit për të pagjeturit.
“Për sa i përket BKS-së, ajo mbetet pika nevralgjike e këtyre negociatave. Kurti është qartazi i gatshëm të shkojë deri në fund në relativizimin e kësaj çështjes. Siç shihet, paralelisht me bisedimet po flitet edhe për hapjen e urës në Mitrovicë, madje edhe për Lajçakun diçka e tillë është e papranueshme, edhe pse rezultatet e zgjedhjeve janë të pranueshme për të. Pra, në përgjithësi, nuk duhet të presim shumë nga ai takim dhe do të jetë një surprizë e vërtetë nëse diçka ndodh në një drejtim pozitiv”, tha Stankoviq.
Siç tha ai, nuk ka as atmosferë politike dhe as parime të qarta.
“Nuk ka ndërmjetësim të pavarur mes dy palëve që do të shkonte në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje, para së gjithash për çështje individuale. Po ashtu, mbetet çështja e përjetshme e statusit të Kosovës, e cila pavarësisht gjithçkaje nuk do të jetë e lehtë për t’u zgjidhur, nëse është e mundur të zgjidhet fare, sidomos jo ashtu siç e dëshiron Kurti dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, pra perëndimi politik”, shton Stankoviq.
Ai thekson se edhe pas këtij takimi nuk mund të pritet as një rezultat minimal pozitiv për Serbinë, sepse, shton ai, është pritur për dhjetë vjet dhe gjatë asaj kohe nuk është formuar BKS.
“Nuk ka asnjë rezultat minimal dhe maksimal në negociata, por rezultati i të cilit do të ishte dhënia e një niveli të caktuar të vetëqeverisjes politike për serbët. Me sa po shoh, Kurti nuk është i gatshëm për një gjë të tillë dhe vetë fakti se ai i organizoi dhe i zhvilloi këto zgjedhje ashtu siç i kreu dhe se pretendon se janë legale dhe politikisht legjitime është një shenjë e qartë se ai do të shkojë drejt mosekzistencës së Bashkësisë së Komunave Serbe. Më duket se epilogu i të gjitha këtyre bisedimeve do të jetë se nuk do të ketë BKS-në, por nuk do të ketë as njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Pra do të hyjmë në një zonë vakumi politiko-siguri të përshkuar me pasiguri të mëdha, në të cilën gjithçka do të jetë me të vërtetë e mundur”, tha Stankoviq.
Ai theksoi se duket si një epilog real i këtyre bisedimeve, sepse asgjë nuk sugjeron se po ecim në drejtim të një atmosfere politike konstruktive.
“Shqiptarët i kuptojnë bisedimet si një lojë me rezultat zero, që për ta do të thotë gjithçka, për serbët asgjë në tryezën e bisedimeve dhe për ta është legjitim edhe “skenari kroat i vitit 1995”, kështu që nuk ka shumë vend për shpresoj se do të ketë përparim thelbësor”, tha Stankoviq.
Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e Beogradit dhe iniciativat e ndryshme që shkuan në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve, Stankoviqi dyshon se dikush ka synimin të krijojë një propozim politik të balancuar që do të mbronte minimalisht interesat e serbëve dhe të Serbisë dhe deri diku do të kënaqte aspiratat e shqiptarëve.
“Nuk ka gatishmëri për një gjë të tillë në Perëndim dhe Perëndimi është i vetmi që menaxhon në thelb këtë proces. Si fuqi të mëdha, Rusia dhe Kina mund të veprojnë vetëm përmes Këshillit të Sigurimit, i cili është i bllokuar. Prandaj, ndërmjetësimi i BE-së u pranua, ashtu siç është, dhe ka një inerci ogurzezë që intensifikohet edhe më shumë nga fakti se në Perëndim janë kategorikisht pro njohjes së Kosovës, ndërsa diplomatë si Lajçaku dhe Boreli, që vijnë nga dy shtete që nuk e njohën Kosovën, po na bëjnë presion në mënyrë simbolike. Pra, në përgjithësi, kjo është skena që është vendosur dhe nuk premton fare se do të arrihet ndonjë marrëveshje”, ka përfunduar Stankoviq.
komentet