Turavrapi për Bashkësinë e Komunave Sërbe
Shkruar për Kosovo onlajn nga: Dragan Biseniq, gazetar
Bashkësia e Komunave Sërbe duket si fantazi boshe e pakapshme e cila shfaqet përmes më shumë se qindra fytyrash dhe rolesh. Ajo u shfaq për herë të parë si rezultat i një marrëveshjeje në Bruksel 10 vjet më parë. Ndërmjetësuesi në dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Llajçak, për takimin e sotëm mes presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtit, bën të ditur se në rendin e ditës do të jetë “fillimi i procesit të krijimit të Bashkësisë”. Në këtë “fillim procesi” do të prezantohet “draft-statuti i BKS” që është “hapi i parë i rëndësishëm dhe obligues” siç e ka përshkruar përfaqësuesi europian.
Më tej është ende konfuz fakti që Bashkësia e Komunave Sërbe edhe pas 10 vitesh nga momenti i dakordësimit, ende ndodhet në fillim dhe egziston si çështje rreth të cilës duhet të negociohet. Përveç kësaj, BKS metodikisht duket në plan se kalon nga një formë kontraktuese në tjetrën. Ishte pjesa e parë e marrëveshjes së Brukselit, e tani është pjesë e planit gjerman dhe më pas pjesë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe duket se roli i saj nënkuptohet edhe në të ardhmen. E gjithë kjo është e shëmtuar dhe disi e turpshme për Bashkimin Europian. Në vend që Bashkësia e Komunave Sërbe të ekzistonte dhe funksiononte prej disa vitesh, ajo ende egziston vetëm në letër dhe në “fillim të procesit” në të cilin “paraqitet draft-statuti” siç thotë përfaqësuesi special.
Kur bëhet fjalë për BKS, mospërputhja duket si tipar i rëndësishëm i të menduarit për të, e cila nuk u shmang as nga i dërguari special i BE Mirosllav Llajçak. Kur filloi të kryejë rolin e tij ndërmjetësues, në vjeshtën e vitit 2020 ai tha: “Nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve pa Bashkësinë e Komunave Sërbe. Kosova e nënshkroi, Kuvendi e ratifikoi. Kosova duhet t’a zbatojë atë. Kjo është pjesë e negociatave”. Duket se ky formulim korrespondon me gjendjen e punëve që pritet prej përfaqësuesit të BE. Por, vitin e ardhshëm do të ketë një kthim, kështu që Llajçak thotë: “Bashkësia e Komunave me shumicë sërbe, do të formohet pas nënshkrimit të marrëveshjes Gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Sërbisë”.
Ndaj në vend që formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe, të paktën imagjinueshëm, të jetë kusht për negociata të mëtejshme, vjen një kthesë e fortë dhe nënshkrimi i marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, shndërrohet në kusht për krijimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe. Kjo e fundit sipas kësaj ideje, po vjen rjedhimisht në fund të dialogut. Ndonëse ajo ndodhej në fillim, atëherë ajo, siç duket tani, do të shërbejë si karrem që pala sërbe të tur-vrapojë dhe të mos bëjë asnjë përparim në pozicionin e vet. Kjo ide mund të jetë mjaft tërheqëse për Prishtinën dhe për aktorët e tjerë direkt apo indirekt në bisedime, por ajo është larg gërmës dhe frymës së marrëveshjeve së fundit, për të mos përmendur marrëveshjen e Brukselit të para 10 viteve.
Le të marrim, a ka dëgjuar ndokush ndonjëherë për Këshillin e Përbashkët të Komunave Sërbe në Kroaci? Me shumë mundësi askush, por ai egziston. Ka emër të ngjashëm, funksione të ngjashme, duhet të funksionojë në kushte të ngjashme dhe të jetë një formë që bashkon komunat ku jetojnë sërbët në lindje të Kroacisë.
Ky organ u krijua me propozim amerikan pas përfundimit të konflikteve të luftës në Sllavoninë Lindore dhe është pjesë e marrëveshjes së Erdutit, dokument i të cilit konfirmonte ri-integrimin paqësor të zonave të kontrolluara nga sërbët nën qeverinë e Zagrebit. Pothuajse 30 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ende po kërkohet fjala më e mirë për të përshkruar Këshillin. Kësaj bashkësie i janë dhënë shumë përgjegjësi dhe kompetenca në të gjitha dokumentet, por nuk i janë dhënë mekanizma dhe instrumente për t’a zbatuar atë. Si rjedhojë, ajo është vetëm një shkallë më e lartë se e një shoqatë të zakonshme qytetarësh ndonëse është krijuar nga një marrëveshje ndërkombëtare.
Pozita e këtij Këshilli, pas gjithë kësaj, është frymëzim i rëndësishëm për Albin Kurtin, i cili kërkon të injorohen marrëveshjet e mëparshme, si ato të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Në marrëveshjen e vitit 2015 precizohen instrumentet dhe të ashtuquajturat "kompetenca egzekutive" të kësaj bashkësie.
Marrëveshja e Brukselit është e përafërt me atë të Erdutit, shërben për “ri-integrimin paqësor” të veriut të Kosovës. Kryeministri kosovar Albin Kurti, tani dëshiron të lëvizë me të njëjtin ves. Ai kërkon që bashkësia të mos ketë kompetenca egzekutive, arsyeton se nuk dëshiron diçka të ngjashme si Republika Sërbe e Bosnjës, çka është një krahasim krejtësisht joadekuat, sepse Kosova mund të krahasohet me RS, e jo me Bashkësinë e Komunave Sërbe.
"Ajo që nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të gjithçka që do të dukej si Republika Sërbe në B&H. Nuk do të lejojmë një parashtet satelit me përbërje shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës", tha Kurti. Nëse kësaj i shtojmë se pas zgjedhjeve, të cilat, siç thotë Volfgang Petriç nuk ishin "rezultat që mund të përdoret në një shtet demokratik", do të krijohet një amalgamë e forcës dhe rrezikut dhe paligjshmërisë në komunat me shumicë sërbe, atëherë rreziku të rrëshqasë nga shinat e dialogut, është shumë i lartë dhe ideja e normalizimit të marrëdhënieve është mjaft e largët.
Ndaj para takimit të sotëm, Llajçak me të drejtë në mediat sllovake, e përmblodhi në mënyrë të besueshme rrjedhën dhjetëvjeçare të dialogut dhe deklaroi se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e BKS, ndërsa Sërbia, sipas tij, shpërbëu strukturat paralele, siç ishte dakordësuar.
“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte që Sërbia në njërën anë të shkrijë strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. E në anën tjetër, Kosova duhet të krijonte BKS. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dëshiroj të kthehem tek e kaluara dhe të vlerësoj përse ishte kështu”, shtoi Llajçak.
Nëse ndërmjetësuesi europian nuk dëshiron të angazhohet në të menduarit "përse është kështu", pala sërbe duhet, sepse ky është, pa dyshim, një mësim i rëndësishëm për negociatat. Duke i besuar Bashkimit Europian, menjëherë në fillim ajo bëri një lëshim kyç dhe tërhoqi “institucionet paralele” nga veriu i Kosovës, duke pritur, natyrisht, që pala tjetër do të ndiqte shembullin. Por nuk ndodhi. Për këtë tani të paktën “tre herë” t'i masë të gjitha propozimet para se të "shkurtojë" diçka.
Ishte e nevojshme që BKS të edukohej disa vite më parë, të shihej se mund dhe në çfarë mënyre mund të vepronte dhe funksiononte dhe vetëm atëherë, të kalohej në procesin e negociatave. Deri atëherë do të kishte kuptim sepse do t'i detyronte të gjitha palët. Ajo çfarë mund të ndodhë tani, dhe që është ndoshta ideja, është përsëritja e rezultatit të marrëveshjes së Brukselit, në të cilën pala sërbe të bëjë një lëshim të prekshëm e në këmbim të mos marrë asgjë. Më saktësisht, një lloj Bashkësie të Komunave Sërbe mund të krijohet fiktivisht, por kurrë edhe asnjë ditë, të mos fillojë të funksionojë, as të ketë ndonjë rëndësi, sepse do të pamundësohet apo kontestohet nga autoritetet e Prishtinës.
Nëse edhe pas gjithë kësaj ende egziston ideja që fillimisht të nënshkruhet marrëveshja Gjithëpërfshirëse, e më pas të krijohet Bashkësia e Komunave Sërbe, atëherë është më e leverdisshme që të ndërpritet dialogu, sepse ndërkohë pala sërbe do të shndërrohet qartësisht se për të këto negociata askush nuk do të “paguajë” atë çfarë do të jetë dhënë falas. Këtë përfaqësuesit e saj e kanë thënë shumë herë dhe me këtë rast, është e udhës që skenari i këtij dialogu të ndryshohet sa më parë dhe të kthehet aty ku është menduar.
Ndaj besueshmëria dhe paanshmëria e Bashkimit Europian janë dimensionet aktuale kyçe të fazës së dialogut. Bashkimi Europian ka mënyra të bollshme dhe hapësira për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Sërbe. Në aneksin e pranuar të Ohrit, vazhdimi i integrimit europian dhe përfitimi financiar nga konferenca e donatorëve, janë shpërblime për gatishmërinë për marrëveshjen dhe qëndrim bashkëpunues, por edhe "pasojat direkte" që mund të rjedhin nga moszbatimi dhe të cilat janë parashikuar në pikën 11 të shtojcës së marrëveshjes.
Konferenca e ardhshme e donatorëve e cila mbahet për 150 ditë, është e kushtëzuar me zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes, atëherë është llogjike që brenda kësaj periudhe, të formohet edhe Bashkësia e Komunave Sërbe. Dhe jo vetëm të formohet, por edhe të tregojë se është jetike dhe gati për të funksionuar.
0 komentet