Stano: Qeveria e Kosovës nuk mund t'ua delegojë komunave obligimin për formimin e BKS-së

Peter Stano
Burim: Kosovo Online

Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nuk mund ta formojë BKS-në dhe se është përgjegjësi e komunave, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të heqë dorë nga obligimet e saj në kuadër të dialogut, as të delegohen në komunat me shumicë serbe, transmeton Teve1.

Stano thekson se Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Themelore të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, duke përfshirë edhe formimin e BKS-së.

“Sipas marrëveshjeve përkatëse të vitit 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e BKS-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Çdo projekt-propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin pa dialog. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga obligimet e saj në kuadër të dialogut apo t'ua delegojë ato komunave me shumicë serbe në Kosovë”, tha Stano.

Siç shtoi ai, drafti evropian i statutit të BKS-së bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.