Staroviq: Është e qartë se kush po e pengon marrëveshjen
Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, thotë se është shumë e rëndësishme që Beogradi të mos njihet si fajtor në rast të dështimit të negociatave me Prishtinën.
“Është e rëndësishme që gjërat të jenë ashtu siç janë në të vërtetë, që t'i bëhet e ditur qartë publikut ndërkombëtar se institucionet në Prishtinë janë fajtorë për mungesën e një marrëveshjeje për shkak të qëndrimit të ngurtë politik me të cilin ata refuzojnë të vendosin BKS-në”, tha Staroviq për RTS.
Miroslav Lajçak ka vizituar Beogradin para takimit të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Ohër. I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka theksuar në një intervistë për RTS se një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së ardhshme është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën ai e sheh si çelës për suksesin e marrëveshjes. Ai po ashtu tha se BKS duhet të formohet në mënyrën për të cilën është rënë dakord para 10 viteve.
“Edhe pse mbrëmë kemi dëgjuar mesazhe të mira dhe të rëndësishme nga Lajçaku, nuk dëgjojmë mesazhe të tilla nga ai kur është në Prishtinë apo në lokacione të tjera”, tha Staroviq në lidhje me këtë.
Diplomacia fluturuese të Lajçakut dhe Gabriel Eskobarit është në vazhdim, thotë Staroviq dhe shton se duhet shfrytëzuar çdo mundësi për të sqaruar se ka një qasje të ndryshme kur bëhet fjalë për mënyrën se si zhvillohet procesi i Brukselit.
“Problemi kryesor është mungesa e mekanizmave për zbatim, ai plan duhet të jetë pjesë përbërëse e kornizës së negociatave”, tha Staroviq.
Ai përsërit që nuk mund të ketë zbatimin pa formimin e BKS-së, e cila do të përfaqësonte hapin zero në zbatimin e çdo gjëje tjetër.
“Bëhet fjalë për integritetin e procesit, i cili do të ishte i pakuptimtë nëse BKS nuk formohet si parakusht i domosdoshëm për të punuar në një marrëveshje kornizë”, tha Staroviq.
Ai shton se nga Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Prishtinës po dëgjohet "një këngë të vjetër - përsërisin si papagalli faktin se ata nuk kanë ndërmend të themelojnë BKS-në".
“Nëse është kështu, dhe nuk ka arsye që të jetë ndryshe, nuk ka marrëveshjen, por shumë më e rëndësishme se rezultati negativ është se cila palë do të shënohet si fajtore. Është e rëndësishme që të mos jetë ne, por realisht si janë gjërat, të bëhet të ditur qartë publikut ndërkombëtar, se institucionet në Prishtinë, në radhë të parë Kurti, janë fajtorë për mungesën e marrëveshjes për shkak të qëndrimit të ngurtë politik në refuzimin e themelimit të BKS-së. Nuk ka ndarje e fajit në dy pjesë, është e qartë se kush po pengon”, ka theksuar Staroviq.
Ai gjithashtu beson se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë treguar gatishmëri për të ngritur aksionet - njohja e fajtorit do të sillte me vete masa ndëshkuese.
"Nëse pala jonë e refuzon planin, sipas tyre ne kemi një rrugë alternative që nuk do të ishte e mirë, që është një frazë diplomatike që flet për presionet, kërcënimet dhe ultimatumet që na presin pas qoshes. Nëse do të njiheshim si pala penguese, do të ballafaqoheshim me pasoja të rënda, nëse flasim për pezullimin e investimeve direkte publike, tërheqjen e investimeve, mbylljen e fabrikave, njerëzit do të humbnin vendet e tyre të punës - ne duhet ta shmangim atë me çdo kusht”, theksoi Staroviq.
Siç thotë ai, duhet të tregohemi të urtë dhe të mos lejojmë as ndarjen e fajit, e lëre më të njihemi si pala ekskluzivisht fajtore.
0 komentet