Staroviq: Kurti ka dy synime – të nxisë shpërnguljen e serbëve nga Kosova dhe të provokojë reagimin e Serbisë
Ministri për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, theksoi se kryeministri në mandat teknik i Kosovës, Albin Kurti, ka dy synime – të nxisë shpërnguljen e serbëve nga Kosova dhe të provokojë reagimin e Serbisë përballë forcave të NATO-s.
Staroviq në RTS tha se, kur është fjala për veprimet e institucioneve të përkohshme të Prishtinës, nuk pret asgjë të mirë.
Ai thekson se Kurti synon dy gjëra – të përshpejtojë shpërnguljen e popullit serb nga Kosova dhe të provokojë reagimin e Serbisë me forcat e NATO-s, gjë që, sipas tij, është shmangur.
„Po krijohet një konsensus ndërkombëtar se sjellja e Kurtit është e papranueshme, në këtë kontekst e shoh edhe vendimin e fundit të administratës amerikane“, tha ai.
Për takimet në Nju Jork
Para udhëtimit të delegacionit serb në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Serbisë njoftoi se së shpejti mund të priten lajme të mira në lidhje me tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ai saktësoi se në Nju Jork do të zhvillojë bisedime me sekretarin amerikan të shtetit, Marko Rubio, si dhe me mbi 20 presidentë e kryeministra të vendeve të ndryshme.
Staroviq tha se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të jetë një mundësi e mirë për të biseduar me shtete mike, me shtete tradicionalisht aleate, por edhe me ato me të cilat Serbia nuk pajtohet për të gjitha çështjet.
„Mund të presim lajme të mira në lidhje me ndryshimin e qëndrimit për Kosovën nga disa shtete, ashtu siç ka paralajmëruar presidenti“, tha Staroviq.
Është paralajmëruar edhe takimi i presidentit Vuçiq me Marko Rubo. Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë pret nga ky takim, Staroviq tha se një muaj e gjysmë më parë ministri Marko Gjuriq u takua me Rubio në Uashington, duke hapur rrugën për takimin e Vuçiqit me sekretarin amerikan të shtetit në Nju Jork.
Hapja e Klasterit 3
Duke folur për rrugën evropiane të Serbisë, Staroviq tha se dialogu me vendet anëtare të BE-së është i vazhdueshëm.
„Është në interesin tonë të përshpejtojmë rrugën drejt anëtarësimit në BE. Po punojmë me ngulm që të hapim Klasterin 3. Është i nevojshëm konsensusi i vendeve anëtare. Besoj se do të jemi në gjendje ta hapim Klasterin 3 deri në fund të vitit“, përfundoi Nemanja Staroviq.
Për paradën ushtarake
Sa i përket paradës ushtarake „Fuqia e unitetit“, ministri vlerësoi se stabiliteti nuk mund të ekzistojë pa një forcë dhe fuqi të përshtatshme ushtarake dhe shtoi se kapacitetet e ushtrisë nuk shërbejnë për kërcënime.
Sipas tij, është e vështirë të veçohet diçka nga parada e djeshme, duke theksuar se ishte spektakolare.
„Mund të ndiheshim krenarë duke parë se çfarë ka sot Ushtria e Serbisë, duke vëzhguar nivelin e pajisjeve dhe përgatitjes së saj. Do të veçoja segmentin e mbrojtjes kundërajrore. Në këtë segment sot jemi ndër disa shtetet e kontinentit evropian për nga aftësitë që kemi“, theksoi Staroviq.
Sipas fjalëve të tij, stabilitet nuk mund të ketë pa një forcë dhe fuqi të përshtatshme ushtarake.
Kapacitetet ushtarake nuk shërbejnë për kërcënim
„Kapacitetet e ushtrisë nuk shërbejnë për të kërcënuar, por për të penguar në mënyrë efikase nëse dikush mendon diçka të keqe ndaj shtetit“, tha ministri Staroviq, duke shtuar se kjo duhet t’i detyrojë edhe më të fuqishmit të mendojnë mirë para se të vendosin për një agresion eventual.
„Nuk kemi kërcënim të drejtpërdrejtë nga ndonjë agresion i jashtëm, gjë që është rezultat i politikës së jashtme që ndjekim, por edhe rezultat i kapaciteteve penguese të ushtrisë“, tha ministri Staroviq.
„Që nga kohët e lashta ka vlejtur rregulli se ftesa më e mirë për një agresor është nëse jeni të dobët dhe të pafuqishëm. Serbia nuk është e dobët e as e pafuqishme, nuk i kemi kërcënuar askujt dhe pavarësisht komenteve thumbuese në shtypin rajonal, mund të jemi krenarë për atë që ka Ushtria e Serbisë“, thekson Staroviq.
komentet