Ulutash me Llajçakun: Çdo vendim për hapjen e urës në Mitrovicë me ndërmjetësimin e BE-së
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash ka takuar me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, në Zyrën e BE-së në Prishtinë, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, njoftoi Kfor. Me atë rast u konstatua se çdo vendim për hapjen e urës së Ibrit duhet të merret me ndërmjetësimin e BE-së.
Siç thuhet, Ulutash dhe Llajçak diskutuan bashkëpunimin shumë të ngushtë dhe koordinimin e rregullt ndërmjet KFOR-it dhe BE-së në terren dhe diskutuan një sërë temash me interes të përbashkët që ndikojnë në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në mbarë Kosovën.
“Ata përsëritën përkushtimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it. Kjo është kyçe për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i i mban prezencë të përhershme në urën në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në komunikatë.
Ai shtoi se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 - duke kontribuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Kfor është përgjigja e tretë e sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me të cilët punon në bashkëpunim të ngushtë”, përfundon komunikata.
0 komentet