UNMIK: Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur pas konfliktit në Kosovë

UNMIK logo na belom
Burim: Ilustracija

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, UNMIK njoftoi se më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, 27 vjet pas konfliktit në Kosovë, duke theksuar se viktimat dhe familjet e tyre duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të tyre.

Siç bëri të ditur UNMIK, përpjekjet për të përcaktuar fatin e personave që vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur gjatë konfliktit në Kosovë duhet të mbeten gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe, mbi të gjitha, të përqendruara te viktimat dhe familjet e tyre.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, tha se, pavarësisht përparimit të konsiderueshëm, shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e pasigurisë dhe të mosnjohjes së fatit të më të dashurve të tyre.

„Çështja e personave të zhdukur nuk duhet të politizohet kurrë. Përparimi thelbësor varet nga bashkëpunimi, besimi dhe përkushtimi i përbashkët për t’u dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë“, deklaroi Due në një komunikatë.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë, rikujton UNMIK.

„Gjetja e fundit e mbetjeve mortore në Zubin Potok, të cilat besohet se u përkasin të paktën 23 personave, është një përkujtim i fuqishëm se, edhe pas dekadash pritjeje, përgjigjet ende mund të gjenden“, theksojnë nga UNMIK.

Due tha se kjo organizatë qëndron përkrah familjeve të viktimave të zhdukjeve me forcë.

„Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për të mësuar të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të mbeten në qendër të çdo përpjekjeje. UNMIK-u do të vazhdojë t’u ofrojë këtyre familjeve mbështetje psikosociale dhe forma të tjera të synuara të ndihmës“, tha Due, duke iu referuar temës së Ditës Ndërkombëtare të këtij viti: „Viktimat në radhë të parë. Veprim tani“.

Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së për personat e zhdukur, vazhdimin e angazhimit përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), si dhe për përpjekje të përbashkëta të Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Shënimi i sivjetmë i Ditës Ndërkombëtare shënon njëkohësisht edhe 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Forcë, të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi më 20 dhjetor 2006, bëjnë të ditur nga UNMIK-u.

„UNMIK do të vazhdojë t’i mbështesë familjet e personave të zhdukur në realizimin e së drejtës së tyre për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut“, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.