Vasiq: Trajkoviq u deklarua se nuk është fajtor me akuzat për të cilat i janë ngarkuar
Sllagjan Trajkoviq nga Mitrovica e Veriut i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime të supozuara të luftës në Kosovë në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999, u deklarua në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij.
Avokati i Trajkoviqit, Dejan A. Vasiq, deklaroi se është kundërshtuar sjellja e prokurorisë.
“Ne kemi kundërshtuar sjelljen e prokurorisë në këndvështrimin e sigurimin dhe nxjerrjen e provave, pasi ende nuk janë ofruar disa prej tyre. Shpresoj se do të anulojmë deri diku këtë lëshim gjatë procedurës. Sot u lexua aktakuza, Trajkoviq u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat. Gjykimi ka qenë i mbyllur për publikun, kështu që nuk jam në gjendje të flas për akuzat dhe veprimet që i ngarkohen pa bazë” tha avokati Dejan A. Vasiq.
Faza tjetër, sipas avokatit, është kundërshtimi ndaj aktakuzës dhe provave.
“Ne këtë do t’a përgatisim me kujdes dhe do të kemi çfarë të themi në njërin dhe tjetrin kundërshtim e pas kësaj, do të shikojmë se si gjykata ndaj këtyre kundërshtimeve do të vendosë” tha Vasiq.
Në seancën e sotme asistonte dhe familja e Sllagjan Trajkoviqit dhe për një kohë të shkurtër atij i’u lejua të shifte nipin. Bashkëshortja e Sllagjan Trajkoviqit, Suzana, tregon se familja është e bindur për pafajësinë e tij dhe do të luftojë për t’a vërtetuar.
“Mendërisht, ai po mbahet disi. Përgjatë gjithë kohës fërkon duart aty ku i ishin vendosur prangat. Duket se e kanë shtrënguar shumë. Shpresojmë dhe besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që Zoti të jetë në anën tonë” tha Suzana Trajkoviq.
Kujtojmë se në dy seancat e mëhershme ku duhej të ishte lexuar aktakuza, u shtynë për shkak se prokuroria nuk dorrëzoi dokumentacionin e plotë avokatit të të akuzuarit.
Trajkoviq u arrestua më 15 dhjetor të vitit të kaluar në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe qysh atëherë ndodhet në paraburgim. Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tij ka ngritur aktakuzë për krime lufte të pretenduara kundër popullatës civile në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 1999, në fshatin Reznik të komunës së Vuçitrnës dhe fshatrave përreth.
Përndryshe në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Trajkoviq së bashku me kolegë të tjerë u larguan nga Policia e Kosovës në shenjë proteste ndaj dhunës që autoritetet në Prishtinë po ushtronin ndaj sërbëve në veri.
komentet