Vigand: Pozicioni i BE është i qartë, ndryshimet e ligjeve në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës
Bashkimi Europian ruan qëndrimin se ndryshimet në ligjin për Odat e Specializuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përsëriti sot zëdhënësi i BE Kristian Vigand.
Duke i'u përgjigjur pyetjes së një gazetari nga Prishtina ku kërkonte spegim lidhur me ndërthurjen e mundshme të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë dhe Këshillit Kushtetues të Odave të Specializuara në Hagë, Vigand tha se qëndrimi politik i Unionit lidhur me Odat e Specializuara është shumë i qartë, ndërsa ekipi kompetent i BE do të duhej të ofronte sqarime për aspektin ligjor.
"Por qëndrimi ynë për Odat e Specializuara është shumë i qartë. Mbështesim vazhdimisht punën e Odave të Specializuara të Kosovës si institucione gjyqësore të pavarura, të themeluara me vendimet e Kuvendit të Kosovës të viteve 2014 dhe 2015, të cilat veprojnë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës dhe janë të themeluara përmes Kushtetutës së saj. Më lejoni të përsëris atë që kemi thënë përmes deklaratës së zëdhënësit: se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ndryshon aktin egzistues, është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE", tha Vigand.
Që ndryshimet e Ligjit për Odat e Specializuara bien ndesh me obligimet e Kosovës ndaj BE, u bë i ditur javën e kaluar nga Brukseli, përmes një thirrjeje drejtuar Prishtinës për t'i respektuar detyrimet e saj.
Komisionerja Europiane për Zgjerim, Marta Kos, përcolli dje mesazh të ngjashëm, duke deklaruar se kjo është "e papranueshme" dhe se ndryshimi i rregullave ndërkohë që procedurat gjyqësore janë në zhvillim e sipër, cënon standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
"Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Procesi i zgjerimit të BE po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa pas, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE" tha Kos para mbledhjes së djeshme të Këshillit për Punë të Jashtme.
0 komentet