Vuçeviq: Në Kosovë e Metohi në dukje e qetë, pres një veprim më vendimtar nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve

Miloš Vučević Screenshot Kosovo
Burim: Skrinšot TVB92

Situata në Kosovë e Metohi sot në mëngjes është e qetë, më mirë të thuhet në dukje e qetë, sepse mund të shpërthejë në çdo moment, pasi tensioni është në maksimum, sidomos te serbët që kërcënohen nga aktet e fundit terroriste të regjimit të Albin Kurtit, tha sot Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.

Ai ka theksuar se pret një veprim më vendimtar nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Kurti po punon për spastrimin etnik të Kosovës nga serbët dhe kjo është agjenda e tij kryesore. Është një formë presioni ndaj serbëve në Kosovë e Metohi, të cilëve u thuhet se nuk mund të qëndrojnë në veri”, tha Vuçeviq në një paraqitje të ftuar në TV Prva.

Ai tha se qëllimi është që Serbia të futet në konflikt, ku do të paraqitet si agresore dhe se duhet të tregohet politikisht i mençur, i kujdesshëm dhe t'i mbrojë serbët në Kosovë.

Duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, se ushtria serbe nuk po përgatitet të ndërhyjë në Kosovë, por të jetë e gatshme “për të gjithë skenarët”, Vuçeviq tha se Serbia nuk do të lejojë askënd t’i kalojë vijat e kuqe, d.m.th. nuk do të lejojë që të përsëritet "Stuhia", "Vetëtima" apo 17 marsi 2004.

"Ushtria do të jetë në gjendje të kryejë çdo detyrë që ka të bëjë me sigurinë e Serbisë dhe serbëve në Kosovë e Metohi. Ne do të jemi në gjendje që të reagojmë në kohën e duhur, me shpresën se nuk do të na duhet të reagojmë, sepse askush nuk është për luftë. Por të shikojmë serbët që të vriten në Kosovë e Metohi, kjo nuk do të ndodhë”, ka theksuar Vuçeviq.

Ai shprehu shpresën se faktorët nga bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë vendet e Quintit, do të jenë më të suksesshëm në presionin dhe dënimin e Kurtit.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse KFOR-i mund t'i mbrojë serbët në Kosovë, ai tha se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral Millan Mojsilloviq është në kontakt me komandantin e KFOR-it disa herë në ditë, se këto janë biseda që duhet të tingëllojnë mirë, por shihet edhe se jo gjithçka varet nga ai, por ka edhe një politikë që përcakton veprimin në fushë.

"Komandanti i KFOR-it ka autonominë e tij, por ndjek edhe kontekstet politike. Pres një veprim më të vendosur nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve", tha Ministri i Mbrojtjes.

Ai ka shtuar që problem të veçantë është se Kurti çdo herë e lëviz vijën e dhunës dhe terrorit ndaj serbëve dhe se dëshiron t'i vërë në qoshe serbët dhe Serbinë, ku nuk ka rrugëdalje diplomatike-politike, që çon në konfrontim të drejtpërdrejtë që nuk i bën mirë askujt.

Kur është fjala për pozitën e serbëve nga veriu i Kosovës, të cilët kërkojnë që të ndërpritet dialogu me Prishtinën derisa Kurti të tërheqë forcat speciale dhe kryetarët e komunave, Vuçeviq tha se e kupton pozitën e tyre.

“Sa i përket shtetit të Serbisë, do të diskutohet dhe cili do të jetë qëndrimi ynë i mëtutjeshëm në procesin e negociatave, por nuk duhet të hyjmë në izolim apo periudhë të autizmit politik, për shkak të të cilit mund të thuhet se ne nuk duam dialog”, tha Vuçeviq.