Vuçeviq: Prishtina po ndërton ushtrinë e saj, kjo është shkelje e Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës

Miloš Vučević
Burim: Kosovo Online

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka vlerësuar se Prishtina në mënyrë më flagrante shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen e Kumanovës, raporton Rasha Tudej.

“Prishtina po armatos forcat e saj të sigurisë me sisteme të fuqishme për t'i shndërruar në ushtri të Kosovës”, deklaroi Vuçeviq.

Ai ka theksuar se “kjo është shkelja më flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes së Kumanovës”.

"Përveç dronëve, si donacion nga Turqia, kanë marrë edhe sisteme të tjera - obusët, minahedhës, sisteme antitanke, sisteme të ofensivës. Oficerët dërgohen në vendet e NATO-s për stërvitje, kanë edhe stërvitje të përbashkëta", tha Vuçeviq.

Ai ka përsëritur se ruajtja e paqes dhe stabilitetit është interes kombëtar i Serbisë.

“Armët e Prishtinës nuk mund të krahasohen me potencialin ushtarak të ushtrisë serbe, por këto janë tregues të qartë se ata kanë një strategji për zhvillimin e ushtrisë së tyre në Kosovë”, tha Vuçeviq.

Ai shton se në lidhje me atë situatë, Serbia duhet të përcaktojë planet e veta operative dhe, siç thotë ai, të trajnojë ushtrinë dhe të instalojë sisteme adekuate të pajisjeve ushtarake.

Me vendim të autoriteteve të Prishtinës dhe miratimin e ligjeve të nevojshme, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë në proces të transformimit në ushtri që nga viti 2018. U paralajmërua se ky proces duhet të zgjasë dhjetë vjet, kur pas tranzicionit ushtria profesionale do të numëronte 5000 veta. Detyrat e FSK-së në periudhën tranzitore përfshijnë angazhimin në situata krize dhe mbrojtjen civile.

Pas vendimit të Prishtinës për transformim, Shtetet e Bashkuara shpallën në vitin 2018 se ishte “e natyrshme për një vend të pavarur”, ndërsa NATO deklaroi se ishte kundër rekomandimeve të saj.