Vuçiq: Është koha që Prishtina përfundimisht t'i përmbushë obligimet e saj, mbi të gjitha BKS

Vucic Eskobar Lajcak
Burim: instagram

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në një takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, se është koha që Prishtina përfundimisht t'i përmbushë obligimet e saj, e mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit. Thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t'i kryejë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

“Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë, ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, shtoi presidenti i Serbisë.