Vuçiq i shkruan Rute: Tërheqje e parahershme e KFOR, vlerësimi nuk i njeh të gjitha rreziqet për sigurinë e sërbëve
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq, në letrën drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO Mark Rute, të cilën e dërgoi sot, shprehu shqetësimin e thellë për vendimin e KFOR për t'u tërhequr nga ura e Ibrit dhe për të përfshirë Policinë Kosovare në "arkitekturën e sigurisë" në zonën e Manastirit të Deçanit. Ai theksoi se ky veprim ishte i parahershëm dhe se vlerësimet e sigurisë së KFOR nuk i njihnin adekuatisht të gjitha rreziqet për sigurinë e popullsisë sërbe dhe jo-shqiptare në veri të Kosovës, si dhe për sigurinë e manastirit i cili është perlë e trashëgimisë kulturore sërbe e botërore.
Vuçiq në letrën të cilën Kosovo Onlajn e ka siguruar ekskluzivisht, thekson se prej vitit 2021 deri në vitin 2026, u regjistruan më shumë se 800 sulme me motive etnike kundër sërbëve dhe kujtoi një sërë masash të njëanshme që vështirësuan më tej pozitën e komunitetit sërb.
Si shembuj, veçoi ndalimin e përdorimit të dinarit sërb, mbylljen e zyrave postare dhe bankave sërbe, marrjen e trojeve përmes procedurave shpronësore, shembjen e objekteve dhe arrestimin e sërbëve dhe jo-shqiptarëve të tjerë, duke vlerësuar se situatë e tillë nuk do të kishte ndodhur nëse Bashkimi Europian dhe komuniteti ndërkombëtar, do të insistonin në zbatimin e detyrimit të vetëm të palës prishtinase nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013-formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe, për të cilën beson se do të parandalonte, sikurse tha, sjelljen persekutuese të autoriteteve prishtinase ndaj popullit sërb.
Vuçiq në letër së pari falënderoi Rute për bisedën e hapur dhe përmbajtësore të fundit në Paris dhe theksoi se e vlerësonte veçanërisht mirëkuptimin e tij për qëndrimet e Sërbisë që i’a paraqiti në këndvështrimin e situatës në Kosovë, si dhe gatishmërinë e tij për të dëgjuar me kujdes argumentet dhe shqetësimet e Sërbisë.
“Jam i bindur se ndajmë qëndrimin se sjellja e përgjegjshme dhe serioze e të gjithë aktorëve, si dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, janë të rëndësisë thelbësore për të ardhmen e mbarë rajonit. Ndaj, ndjeva nevojën t'Ju drejtohem me shqetësim të thellë për rastin e vendimit që prania ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë e Metohi, të largojë objektet e përkohshme nga ura kryesore mbi lumin Ibër (Mitrovica e Kosovës), si pjesë e veprimeve përgatitore për tërheqjen e tyre të plotë nga zona e kontrolluar në zonën e urës”, shkroi Vuçiq.
Ai kujtoi se gjatë gushtit, komandanti i KFOR gjeneral Ozkan Ullutash, njoftoi se misioni do të fillonte procesin e optimizimit të numrit, orarit dhe angazhimit të pjestarëve të misionit, duke e justifikuar këtë me “përmirësimin e situatës së sigurisë në terren”.
"Si pjesë e aktiviteteve që duhet të korrespondojnë me vlerësimin e sigurisë të formuluar në këtë mënyrë, më 10 gusht pati aktivitete për tërheqjen e pjestarëve të karabinierëve italianë nga pjesa veriore e urës kryesore në Mitrovicën e Kosovës, si dhe nisjen e transferimit të përgjegjësisë për sigurinë e këtij perimetri sigurie, tek shërbimi policor i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, por dhe përfshirjen e policisë së Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë në 'arkitekturën e sigurisë' në zonën e Manastirit të Deçanit. Duke pasur parasysh shqetësimin e justifikuar dhe frikën e shumicës së popullsisë sërbe që banon në pjesët veriore të qytetit dhe Krahinës, por edhe aspektet më të gjera politike dhe të sigurisë në lidhje me këtë çështje të ndjeshme, besoj se ky veprim ishte i parahershëm dhe se vlerësimet e sigurisë së KFOR nuk i njohën adekuatisht të gjitha rreziqet për sigurinë e popullsisë sërbe dhe jo-shqiptare në veri të Kosovës e Metohisë, si dhe për sigurinë e manastirit, i cili është perlë e trashëgimisë kulturore sërbe dhe botërore", theksoi Vuçiq.
Në synim, sikurse shkruan, të dekonstruktrimit eufemik, "përmirësimi i situatës së sigurisë në terren", presidenti i Sërbisë kujtoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt të vitit 2024 mbajti seancë të jashtëzakonshme për shkak të rrezikimit të paqes për shkak të lëvizjeve të njëanshme eskaluese te Prishtinës, të cilat krijuan kushte të padurueshme jetese për sërbët dhe jo-shqiptarët e tjerë në Kosovë.
"Prej atij momenti, situata vijoi të përkeqësohej me shpejtësi dhe presioni institucional e jashtë-institucional mbi sërbët dhe jo-shqiptarët e tjerë me qëllim persekutimin e tyre, rezultoi në dëbimin e më shumë se 20% të sërbëve nga zona e Kosovës e Metohisë në pjesën qëndrore të Sërbisë", nënvizoi Vuçiq.
Ky i fundit theksoi se, fatkeqësisht, shkelja brutale e të drejtave bazike të njeriut dhe rrezikimi i sigurisë së jo-shqiptarëve vazhdon ende.
"Rrahjet, frikësimet dhe arrestimet janë bërë të përditshme për të gjithë jo-shqiptarët, para së gjithash për sërbët që jetojnë në katër komuna me shumicë sërbe në veri të Kosovës e Metohisë. Trendi i sulmeve etnikisht të motivuara drejtuar kundër sërbëve dhe jo-shqiptarëve të tjerë, në vitet, javët dhe ditët e fundit është përforcuar", tha Vuçiq.
Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, i përcolli të dhënat se nga viti 2021 deri në vitin 2026, janë shënuar më shumë se 800 sulme me motive etnike.
"Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë njëanshmërisht dhe paligjshmërisht vendosën ndalimin e përdorimit të dinarit sërb, mbyllën filjalet e postës dhe bankave sërbe, morën më shumë se 1 milion metra katrorë truall në pronësi sërbe në procedurat e supozuara shpronësore, shkatërruan dhjetëra shtëpi dhe objekte të tjera në brigjet e liqenit të Ujmanit, mbyllën forcërisht dhe morën 132 objekte të institucioneve sërbe, u privuan lirinë më shumë se 257 personave të kombësive sërbe dhe të tjera jo-shqiptare, përfshirë drejtorët e institucioneve shëndetësore e arsimore, vendosën pengesa administrative për pelegrinët dhe vizitorët që vijnë në Kosovë e Metohi nga pjesa qëndrore e Sërbisë, vazhduan me procese të motivuara politikisht kundër individëve të shquar dhe Listës Sërbe, politizuan dhe abuzuan me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me qëllim terrorizimin e popullsisë vendore, si dhe veprime të tjera që e bëjnë jetën e përditshme të padurueshme, përfshirë ndalimin e kthimit të sërbëve në polici dhe gjyqësor tek Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë", numëroi presidenti Vuçiq.
Ky i fundit bëri të ditur se lista e presioneve mbi sërbët nuk mbaron këtu.
"Ndaj theksoj se pjestarët e policisë së Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, të cilat tani komandanti i KFOR dëshiron t'i "integrojë në arkitekturën e sigurisë", morën pjesë direkt në arrestimin dhe abuzimin e 36 personave, përfshirë gra, gjatë kremtimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor 2026, duke u përcjellë kërcënime organizatorëve të programit kulturoro-artistik gjatë festës së Manastirit të Kryeëngjëllit të Shenjtë në korrik, peligrinët dhe fëmijët e tyre u keqtrajtuan seriozisht nën mbikqyrje snajperiste, u rrëmbye dhe u rrah brutalisht Nenad Rashkoviq në fshatin Dren (Komuna e Zubin Potokut) dhe asistuan dhe në aktivitetet në lidhje me shembjet e shtëpive sërbe në bregun e liqenit të Ujmanit", theksoi Vuçiq.
Ky i fundit kujtoi se falë vendimit të drejtë të pranisë ndërkombëtare të sigurisë për të mbyllur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut në vitin 1999, ai qytet mbijetoi si i vetmi mjedis urban multietnik në Kosovë-në dallim nga Prishtina, Peja, Gjakova, Prizreni, Gjilani, Ferizaj dhe të gjithë të tjerët që u pastruan tërësisht etnikisht nga sërbët në pak javë pas përfundimit të konfliktit në vitin 1999.
"Ndonëse mbyllja e urës mbi Ibër mbrojti sërbët nga dëbimi dhe dhuna masive, zona reth atij objekti, si dhe zona e Suhadollit kanë mbetur përgjatë gjithë kohës e deri më sot, vendet ku u kryen më shumë se 200 sulme me motive etnike ndaj sërbëve nga drejtimi i pjesës jugore të qytetit. Për shkak të të gjithave sa më sipër, si dhe faktit se ura kryesore mbi Ibër dhe rrethinat e saj janë bërë pikë nevralgjike për sulme ndaj sërbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, banorët e Mitrovicës së Kosovës çeljen e urës e shikojnë me frikë, vetëm si përgatitje teknike për vazhdimin e spastrimit të tyre etnik përmes manipulimit të Marrëveshjes së Dialogut të vitit 2015" shkruan presidenti për sekretarin e përgjithshëm të NATO.
Në këtë kuptim, kujtoi se misioni i KFOR bazuar në Rezolutën 1244 (1999) të KS të KB, ka domethënie thelbësore për garantimin e sigurisë dhe lirisë së të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.
“Rëndësia e tij është edhe më e madhe pasi është përmbushja e misionit të saj parësor dhe në funksion të mbështetjes së procesit të dialogut Beograd-Prishtinë i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian bazuar në Rezolutën e AP të KB 64/298 (2010), si dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshjet për urën mbi Ibër mes të cilave është dhe delinizimi i “Mitrovicës së Veriut” dhe “Mitrovicës së Jugut” në zonën kadastrale “Suhadoll” ku ende nuk janë plotësuar”, ka theksuar Vuçiq.
Ky i fundit theksoi se gjithë këtë nuk do t'i shkruante nëse BE dhe bashkësia ndërkombëtare do ta respektonin Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013, në të cilën obligimi i vetëm i palës prishtinase është formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe, egzistenca e të cilës do të kishte penguar plotësisht sjelljen arbitrare dhe persekutore të autoriteteve shqiptare ndaj popullit sërb në Kosovë.
“Megjithatë, edhe pas 13 vitesh, zbatimi i obligimeve të autoriteteve prishtinase nga ajo marrëveshje është zero, ndërsa sikurse e dini BE hesht dhe nuk reagon as ndaj moszbatimit të vendimeve që përfaqësuesit e saj kanë nënshkruar me duart e tyre. Jam absolutisht i bindur se do t'i shqyrtoni faktet që Ju kam paraqitur në këtë letër. çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, si dhe domosdoshmëria e mbrojtjes adekuate të vendeve të shenjta sërbe në Kosovë e Metohi, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për mbijetesën e sërbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë e Metohi, dhe rrjedhimisht paqen dhe stabilitetin rajonal”, shtoi Vuçiq.
Ky i fundit tha se këtë po e thekson jo vetëm sepse e vlerëson shumë punën e Rute si sekretar i Përgjithshëm i NATO, por për këtë e di se sa kujdeset për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
0 komentet