Vuçiq: Situata në Kosovë është më e komplikuara deri më tani

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedës me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës, Lars Lleke Rasmusen, ka theksuar se situata në Kosovë është shumë e komplikuar dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që, siç tha, të parandalohen lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës dhe të mbrohet popullata serbe.
Vuçiq, në bisedën me Rasmusen, e ka cilësuar zhvillimin e situatës në Kosovë si më të komplikuarin dhe më të rrezikshmin deri më tani dhe ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit janë treguesi më i qartë i synimit të Prishtinës për të penguar çdo marrëveshje me Beogradin, dhe jetën normale të serbëve në veri të Kosovës.
Ai vuri në dukje se Serbia është e gatshme të punojë për vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkujtoi se Beogradi i ka zbatuar të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.
Vuçiq theksoi se paqja e brishtë që ekziston në territorin e Kosovës po ruhet falë vendosmërisë së popullit serb, i cili po bën përpjekje mbinjerëzore për t'i rezistuar të gjitha presioneve të regjimit në Prishtinë.
“Presidenti Vuçiq theksoi veçanërisht rëndësinë e vazhdimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës dhe mbrojtjen e popullatës serbe në krahinë, si dhe tërheqjen e pjesëtarëve të të ashtuquajturës polici speciale e Kosovës nga veriu i Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në komunikatën e shërbimit për bashkëpunim me media të Presidentit të Serbisë.
Bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Vuçiq ka thënë se Serbia e vlerëson mbështetjen e Danimarkës dhe propozoi fillimin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional të nëpunësve civilë në kuadër të integrimeve evropiane.
Vuçiq ka shkëmbyer mendime me Rasmusen për të gjitha temat me interes të përbashkët, duke përfshirë intensifikimin e ekonomisë dhe bashkëpunimit në sektorin e IT, mjedisit, bioteknologjisë, kulturës dhe të tjera.
0 komentet