Vuçiq me Doughty: Serbët në Kosovë jetojnë në kushte të pamundura
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe territoret e huaja të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Stephen Doughty, të cilit i ka njoftuar për kushtet e pamundura në të cilat jetojnë serbët në Kosovë.
“Diskutuam edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi, ku e informova ministrin në detaje për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jetojnë serbët dhe i bëra thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të tregojë më shumë mirëkuptim për këtë çështje përmes mbështetjes për dialogun dhe dënimit të Prishtinës në lëvizjet e njëanshme”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai shtoi se ka pasur diskutime për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, duke përfshirë ekonominë, tregtinë, sigurinë kibernetike dhe migracionin.
“Unë thashë se ekonomia është mënyra më e mirë për lidhjen e dy vendeve dhe e informova bashkëbiseduesin tim për progresin që po bën Serbia për rritjen ekonomike dhe mjedisin e favorshëm të biznesit, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Ne gjithashtu prekëm sfidat e sigurisë në kontekstin më të gjerë rajonal, diskutuam rrugën evropiane të Serbisë dhe ftova gjithashtu kryeministrin Starmer të vizitojë Serbinë dhe të vazhdojë bisedimet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht të mira midis dy vendeve”, ka shtuar Vuçiq.
0 komentet