Vuçiq: Në dy javët e ardhshme, takime me shumë zyrtarë botërorë, besoj edhe me Trumpin

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se në dy javët e ardhshme do të ketë mundësinë të takohet me zyrtarë të shumtë botërorë, përfshirë, siç deklaroi ai, Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
“Besoj se do të kem mundësinë të takohem me Presidentin Trump. Ende nuk kam konfirmim të plotë, por besoj se do të ndodhë”, tha Vuçiq gjatë një vizite në punimet në seksionin Prelina-Pozhega të autostradës "Miloš Veliki", duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Vuçiq tha se disa zyrtarë evropianë do të vizitojnë Serbinë – Marta Kos, Kaja Kallas, Antonio Koshta – dhe se kjo do të ndodhë gjatë 15 ditëve të ardhshme, duke shtuar gjithashtu se do të shkojë edhe në Moskë.
"Do të bisedojmë me të gjithë njerëzit kyç dhe më të rëndësishëm në botë", theksoi Vuçiq.
Duke folur për seksionin Prelina-Pozhega, Vuçiq theksoi se ai është kyç për lidhjen e Serbisë perëndimore me Beogradin, por edhe me pjesën tjetër të vendit. Presidenti shtoi se amerikanët janë të interesuar të ndërtojnë rrugën Kralevo-Pazari i Ri, si dhe seksionin nga Pozhega deri në Kotroman.
Ai tha se, për shkak të protestave dhe bllokadave, Serbia ka një normë të ulët rritjeje ekonomike.
"Tani duhet të rishikojmë të gjitha parashikimet tona, duhet të shohim sa më pak do të rriten pagat, sa më pak do të rriten pensionet. Për shkak të kësaj që shkatërruan vendin për gjashtë muaj dhe pastaj është e vështirë të gjesh këto para", theksoi Vuçiq.
Ndër të tjera, Vuçiq komentoi edhe çmimin që Natasha Kandiq mori në Prishtinë.
"Çdokush me klanin e vet. Unë këtë e mora nga Graçanica, ajo nga Prishtina. Secili gëzohet për të vetët", tha Vuçiq.
Kujtojmë se kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i dorëzoi Çelësin e Qytetit aktivistes për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, për, siç u theksua, "roli e saj në dokumentimin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë".
komentet