Vuçiq: Prishtina të bëjë lëshime që sërbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja

Aleksandar Vučić
Burim: Print Screen

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se Prishtina duhet të bëjë lëshime të caktuara në mënyrë që sërbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, transmeton RTV.

Sipas tij, sërbët në veri të Kosovës përherë janë të gatshëm për bisedime por si kompensim duhet diçka t’u serviret.

"Të gjithë sërbët në veri mendojnë se Sërbia është vendi i tyre dhe jo Kosova. Ky është realiteti" ka thënë Vuçiq në një intervistë për Rojters.

Ai u shpreh se vazhdon të jetë e paformuar Bashkësia e Komunave Sërbe si dhe nuk është shkuar deri në tërheqjen e specialeve kosovare dhe kryekomunarëve shqiptarë.

Duke i’u përgjigjur thënieve të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani e cila akuzoi Beogradin për përfshirje në procesin zgjedhor në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se është “e frikshme ajo që thonë këta njerëz".

Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është i gatshëm për kompromis.

"Jam i sigurtë se Kurti nuk investon asnjë minut nga koha e vet, as edhe një pikë djerse për të gjetur zgjidhje kompromisi" ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit ka thënë se Ushtria Sërbe do të qëndrojë në gjendje të lartë gatishmërie, por jo në gjendjen më të lartë të gatishmërisë luftarake “sepse kjo kushton mjaft".

Vuçiq shtoi se Sërbia është në bisedime me Francën për blerjen e avionëve luftarakë "rafal", si dhe në bisedime për forcimin e mëtejshëm të ushtrisë së tij me armatim perëndimor.

Vuçiq ka thënë se Sërbia do të qëndrojë në rrugën europiane, ashtu sikurse ka arritur të balancojë politikën e saj të jashtme me qëllim vijueshmërinë e marrëdhënieve miqësore me aleatët historik Rusinë dhe Kinën.