Vuçiq: Nuk po kërcënojmë askënd, po merremi me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë

Vučić 16 06 2026
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke reaguar sot ndaj deklaratave nga Prishtina lidhur me pohimin e tij për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së Ibrit, tha se nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë.

“Nuk po kërcënoj. Përse do të kërcënoja dikë? Po merrem me rrjedhat ujore në territorin e Republikës së Serbisë, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të Serbisë. Tani shkencëtarët, inxhinierët dhe të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të vijnë të më propozojnë se si mund të realizohet kjo. Nuk kam kërcënuar askënd me asgjë. Unë nuk jam Kurti që t’i kërcënoj njerëzit”, u tha Vuçiq gazetarëve në Prijepole.

Ai tha se Serbia do të merret me problemin e saj.

“Kemi interesat tona dhe merremi me to. Më duket se nuk kemi as kë të rrezikojmë. Atje ku sot ndodhet Liqeni i Ujmanit, ku ndodhej dje dhe nuk e di nëse do të jetë edhe nesër apo ku do të jetë – kanë jetuar serbët”, nënvizoi Vuçiq.

Ai shtoi se “këtu nuk ka ndonjë filozofi të madhe”.

“Shteti do të merret me këtë çështje, kjo i përket legjislacionit të brendshëm”, shtoi Vuçiq.

Ministrja në detyrë e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, e cilësoi deklaratën e Vuçiqit si “shqetësuese dhe të papranueshme”, duke theksuar se “burimet ujore nuk mund të përdoren si mjet kërcënimi, trysnie apo destabilizimi të një shteti tjetër”.

Vuçiq tha dje se kishte ftuar ekspertë të sektorit të ndërtimit për të shqyrtuar ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

“Së shpejti – tashmë kemi ftuar ekspertë të sektorit të ndërtimit dhe inxhinierë, meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit. Pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen. Ne jemi shtet sovran, ndonjëherë kemi interesa të këtilla, ndonjëherë të tjera dhe do të veprojmë në përputhje me to”, tha Vuçiq.