Vuçiq: Shpresoj në bisedime të denja në Ohër

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se shpreson në bisedime të denja në Ohër dhe mundësitë për të lëvizur gjërat, duke shtuar se atje nuk shkon me mesazhe, pasi siç tha ai, ka thënë gjithçka që ka pasur përballë përfaqësuesve specialë për dialog të BE dhe SHBA Mirosllav Llajçakut dhe Gabriel Eskobarit, transmeton RTV.

"Në Ohër nuk udhëtoj me mesazhe, por për të përfaqësuar interesat e shtetit të Sërbisë dhe popullit tonë në Kosovë e Metohi" ka thënë Vuçiq në Ingjija duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarit për të komentuar deklaratat e të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar se beson në rezultatin pozitiv të takimit në Ohër dhe me çfarë mesazhesh po udhëton në Maqedoninë e Veriut.

Vuçiq u shpreh se nuk merret me hile dhe mesazhe, ashtu sikurse bën dikush tjetër.

Vuçiq ka shtuar se mund të pyesë se çfarë ndodhi me atë plan të sajuar që u postua dje tek të gjitha rrjetet sociale.

"Gënjeni sa të doni, jam me fat që nuk merrem me këto. Këto hile kanë jetëgjatësi të shkurtër, nuk kam asnjë lloj mesazhi të veçantë, gjithçka që dua të theksoj i’a kam thënë në fytyrë Mirosllav Llajçakut dhe Gabriel Eskobarit para një apo dy ditësh kur ishin në Beograd" ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit tha se nesër këtë do t’ia thotë edhe përfaqësuesit të lartë të BE Zhozef Borellit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

Vuçiq shtoi se është surprizuar kur ka marrë vesh se në Ohër do të ketë më shumë se 200 media të pranishme dhe shtoi se nuk e di çfarë presin njerëzit të ndodhë.

"Shpresoj për një bisedë mirësjellëse ku mund të shtyjmë gjërat përpara, nëse do të ndodhë apo jo, nuk jam shumë optimist. Sa i përket Sërbisë, ajo është gjithmonë e gatshme të diskutojë për zgjidhje kompromisi, gjithçka tjetër e keni të qartë, asgjë nuk ka ndryshuar qysh prej debatit parlamentar dhe konkluzionet që morëm” ka thënë Vuçiq gjatë vizitës në rajonin e Sremit.