Vuçiq: BKS kusht pa të cilin është e pamundur, do ta përsëris në Ohër
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur sot se Bashkësia e Komunave Serbe është kusht pa të cilin nuk mund të ketë bisedime të mëtejshme në dialogun Beograd-Prishtinë dhe shtoi se do të shkojë në Ohër, ku do të thotë të njëjtën gjë.
Në konstatim e gazetarit se Albin Kurti nuk do ta formojë BKS-në, derisa BE-ja nuk e komenton dhe SHBA-të thonë se duhet të krijohet, Vuçiq tha se BKS nuk është vetëm çështje e insistimit serb, por temë e të gjitha diskutimeve, dhe duhet të formohet, sepse u dakordua në Bruksel.
“BKS është një “conditio sine qua non” për çdo bisedë. Një kusht pa të cilin nuk mund të bëhet. Nëse dëshironi – do ta bëni, nëse nuk dëshironi - nuk do ta bëni. Vetëm, mos na merrni më kohën”, tha Presidenti i Serbisë në liqenin e Vllasinës, të cilin e vizitoi në kuadër të turneut të tij në rrethin e Pçinjit.
Ai përkujtoi se të hënën dhe të martën në Beograd do të presë të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
“Nuk e di se çfarë pret dikush nga Ohri... Unë do të shkoj në Ohër, nuk do të them kurrë se nuk mund të bisedojë. Pse duhet të paraqitemi si të çmendur dhe si dikush që nuk dëshiron të bisedojë. Të njëjtën gjë do të them edhe atje si po ju them tani këtu, dhe ata e dinë. Dikush thjesht duhet të më shpjegojë kuptimin e gjithçkaje. Pse më ftove në dasmë, e nuk ka nusen dhe dhëndrin. Është diçka që e bën gjithçka të pakuptimtë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se e shqetëson që sheh se të gjithë heshtin dhe askush nuk do të reagojë ndaj deklaratave të Prishtinës, duke thënë se serbët ndoshta do të jenë sërish fajtorë për diçka.
I pyetur për 15 modelet e BKS-së, të cilat Lajçak tha se ia propozoi Prishtinës, Vuçiq tha se nuk e dinte se për cilat modele e kishte fjalën Lajçak, por se ishte i bindur se përfaqësuesi evropian sigurisht e dinte se çfarë ishte nënshkruar në Bruksel në katër dokumente - në marrëveshjen bazë, parimet, marrëveshjen e zbatimit dhe vendimin për ekipin menaxhues.
“Ne kemi katër vendime në Bruksel, të cilat janë miratuar dhe nënshkruar. Bashkësia e komunave serbe është e vetmja gjë që nuk mund të diskutohet, sepse tashmë është nënshkruar. Bisedoni për gjithçka që dëshironi, kjo është diçka që është nënshkruar”, nënvizoi Vuçiq.
0 komentet