Vuçiq: Tek policët kosovarë të arrestuar janë gjetur lista sërbësh
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kfor ndërkohë u informua që policia sërbe ashtu si dhe ushtria, nuk ka kaluar linjën administrative dhe se tek policët kosovarë të arrestuar, janë gjetur lista sërbësh.
Vuçiq për RTS ka thënë se efektivët e policisë kosovare janë arrestuar në 1800 metra thellësi të linjës administrative.
"Kur Kurti thotë në 300 metra, e dimë se gati 300 metra ishin në anën tjetër, ndërsa ne i arrestuam në 1,8 kilometra në brendësi të territorit tonë" ka sqaruar Vuçiq.
Ky i fundit ka thënë se ushtria sërbe është stacionuar në pjesën më të madhe të rajonit të Rudnicës, e cila është 5,1 kilometra në vijë ajrore larg vendit të arrestimit, kështu që janë të pasakta pretendimet e kryeministrit kosovar Albin Kurti që Ushtria arrestoi specialët kosovarë.
"Ushtria jonë është thellësisht e larguar 20 kilometra nga vendi ku ndodhi arrestimi. Këto janë pretendime idiote të Kurtit. As ushtria dhe as policia nuk e kanë kaluar linjën administrative. Çfarë bënin ata aty, nëse kanë ndjekur ndokënd apo dikush ka kaluar, kjo ne nuk na intereson. E për këtë nuk thanë asgjë. Gjithçka që thanë ishte se nuk e dinin që kishin kaluar kufirin dhe dikush prej tyre nuk dinte të përdorte as GPS” tha Vuçiq.
Ky i fundit ka thënë se me forcat speciale kosovare të arrestuara, tani po merret policia dhe prokurorët, pasi siç thotë ai, nuk mund të pushtohet territori i një shteti me armë të tilla. Presidenti sërb shtoi se të arrestuarit nuk janë keqtrajtuar, siç është rasti me sërbët e arrestuar në Kosovë.
"Jemi të gatshëm t'u ofrojmë të gjitha të dhënat. Ne jemi shtet serioz dhe do të thoja që për shkak të familjeve të këtyre njerëzve, askush prej tyre nuk është rrahur, as keqtrajtuar, apo shpërfytyruar, gjë që ndodh me sërbët e arrestuar prej policisë së Kurtit. Ne jemi shtet serioz dhe seriozisht sillemi. Nuk e kemi problem që dikush të n’a kundërshtojë profesionalizmin. Marrim në konsideratë sjelljen e shoqërive të qytetëruara" theksoi Vuçiq.
Ky i fundit tha se Prishtina thotë se sërbët janë terroristë, jo policët e tyre që kanë hyrë në territorin sërb.
“Kjo flet se dikush dëshiron të shkaktojë konflikte me çdo çmim. Nuk e kemi problem që gjithkush të na shfaqë pamjet satelitore ku shihet qartë ushtria dhe policia jonë. Kfor në fakt këtë e di ndërkohë. Nëse do t’a thotë apo jo, kjo është çështje tjetër. Unë e di që ata e dinë këtë" ka sqaruar Vuçiq.
Pyetjes nëse MPB e ka klasifikuar sulmin e sotëm të specialeve kosovare si akt terrorist, presidenti tha se patjetër "kur ju sulmon dikush me armë, duhet t‘a shikoni si akt terrorist".
"Mund të kenë pasur plane serioze sepse kemi gjetur lista të disa sërbëve. Ata kanë pasur informacione të caktuara dhe disa njerëz priteshin ose të arrestoheshin, ose të likujdoheshin. Duhet të keni parasysh se ata nuk kanë çfarë të kërkojnë në veri dhe për këtë Kfor i ka paralajmëruar" ka thënë Vuçiq.
Konstatimit të gazetarit se prezenca e tyre në veri mbetet pothuajse e përditshme, Vuçiq thotë se jo vetëm që prezenca e tyre është e përditshme, por përditë qëllojnë dikë apo e rrahin, apo e arrestojnë.
Vuçiq thekson se qytetarët e Sërbisë duhet të kenë parasysh se trajnimi dhe pajisjet e policëve sërbë është në nivel shumë herë më të lartë sesa e atyre kosovarë.
"Trajnimi i policëve tanë dhe i atyre me gjithë respektin që kam, ka diferencë të jashtëzakonshme" ka thënë Vuçiq dhe përgëzoi MPB në atë që ai tha, djemtë e guximshëm që pa shtënë një plumb, mundën ata që i’a behën në territorin e Sërbisë dhe të cilët nuk dëshironin që t’i likujdonin.
Vuçiq thekson se populli sërb në Kosovë duhet t’a dijë se shteti i Sërbisë ështe me ta.
"U them heronjve të cilët ruajnë vatrat tona, emër e mbiemër, se ashtu si mbrëmë nuk i mbylla sytë, sepse e di se çfarë problemesh dhe qëllimesh kishin shqiptarët për të cilat informova Kfor që t‘a dinë se Sërbia, do të jetë përherë me ta, por duhet të shohim dhe të veprojmë me mençuri. Vendi ynë nuk mundet të jetë nën goditjet e sanksioneve, mund të ndodhë nëse ato shpiken, por ne nuk duhet t'i provokojmë”, ka theksuar Vuçiq.
Ky i fundit shtoi se para qëndron luftë e vështirë, kohë e vështirë dhe se nuk ka më gjëra të lehta.
"Por na duhet të mbahemi dhe të durojmë, e di që njerëzit tanë në Kosovë të vazhdojnë për të luftuar si në Lleposaviq, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, por edhe në Anëmoravë, Shtërpcë dhe mbarë Kosovën. Di për presionet e mëdha por ndaj këtij terrori ne duhet të mbahemi, të përpiqemi të ruajmë paqen dhe të ruajmë sigurinë për qytetarët tanë" ka thënë Vuçiq.
0 komentet