Vuçiq për vazhdimin e dialogut në Bruksel: Do të na presionojnë, Sërbia di sesi t’a trajtojë at

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë mbrëmjen e sotme se tema e bisedimeve në Bruksel ku nesër do të takohet drejtori i Zyrës për K&M Petar Petkoviq dhe zv.kryeministri kosovar Besnik Bislimi, do të jetë zbatimi i asaj që është dakordësuar deri më tani, duke shtuar se Beogradi do ketë presion më të madh sesa Prishtina, por askush nuk mundet t’a ulë Sërbinë.

“Llogjike që do të na presionojnë. Do të ketë presion nga njëra dhe nga tjetra, në përgjithësi ndaj nesh, ndërsa tekniko-taktike ndaj tyre. Është një lojë e tëra, e këtë spektakël e kam mësuar kur isha mjaft i ri… Sërbia di sesi t’a trajtojë atë“ ka thënë Vuçiq për TV Hepi.

Ai theksoi se Sërbia dëshiron normalizimin më të mirë të marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës, por është shumë e vështirë kur dikush ka dëshirë vetëm të ulë Sërbinë duke llogaritur se kjo është e vetmja çfarë mund të ofrojnë dhe e vetmja mënyrë sesi t’ju mundim.

“Këtë film nuk do t‘a shikoni hë për hë” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit ka thënë se nesër do të ketë bisedime për zbatimin e asaj çfarë është dakordësuar në Bruksel.

“Petkoviq shkoi. Me të do të kem mëngjesin e nesërm takim apo do të bisedojmë gjatë në telefon, por e rëndësishme është të tregojmë sesa të hapur jemi, seriozitetin, por edhe të ruajmë interesat tona vitale shtetërore. Ai di sesi t‘a bëjë këtë” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit tha se në Kosovë asgjë tjetër nuk bëhet përveçse provokohet sepse dëshirojnë konflikt.

“Kurti dëshiron të jetë Zelenski dhe unë të jem-Putini i vogël. Provokimet janë për të shmangur formimin e BKS. Për të hyrë më herët në konflikte, për të kthyer NATO kundër Sërbisë, pa pasur nevojë të formojë BKS. Osmani premtoi se kurrë asnjëherë nuk do të formohet, Kurti kishte miting të të ashtuquajturve veteranët e UÇK. Mbështetësit e Thaçit realisht ishin 8.500 njerëz. Lërini këto 100.000…. Me këtë ata do të vijojnë politikën akoma edhe më të madhe antisërbe për të dëshmuar se në fakt, nuk kanë kapitulluar, se nuk do të formojnë BKS, e do të shpikin budallallëqe të tjera“ ka thënë presidenti i Sërbisë.

Vuçiq dje dhe sot ishte në Veronë, ku vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Verës në të cilën merrte pjesë edhe Sërbia.

“Investuam shumë dhe u përpoqëm të përfaqësoheshim në mënyrën sa më të mirë. Për ne kjo është e rëndësishme, njerëzit shpesh e nënvlerësojnë rëndësinë e Panairit Ndërkombëtar të Verës, por ardhja e Xhorxhia Melonit, tregoi sesa e rëndësishme është për Italinë dhe më pas është e qartë për ju, sesa e rëndësishme është për ne. Për neve, më shumë sesa vera, të rëndësishme ishin bisedat për të gjitha temat e tjera. Kemi patur sot takime dypalëshe me Xhorxhia Melonin, dy ditët e mëparshme më shumë takime me Kovaçevskin e Ramën…E rëndësishme është që të tentojmë të bëjmë gjëra të mira për njerëzit tanë kur ata shkojnë rrugës drejt Greqisë për në det, kur të shkojnë në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri tek deti, për t'ua bërë gjithçka më të lehtë. Të kemi të njëjtën leje pune, të lidhim ekonominë, të kemi një leje të vetme qëndrimi dhe pune, më duket se ka shumë të mira këtu” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit ka thënë se është rënë dakord për samitin e ri të biznesit Itali-Sërbi duke shprehur shpresën se kryeministrja Xhorxhia Meloni deri në fund të vitit, të vizitojë Sërbinë, duke kujtuar se Italia është partneri i dytë më i madh i Sërbisë në BE.

“Kemi folur për integrimin europian, rreth situatës në Kosovë, për situatën e përgjithshme ekonomike, luftën në Ukrainë, rreth perspektivave, situatën energjitike. Mund të shihja dhe të mësoja mjaft, por edhe të merrja disa përfitime për vendin tonë“ ka nënvizuar Vuçiq.

I pyetur nëse është koha që “Ballkanit të Hapur” t’i bashkohet Mali i Zi, Vuçiq tha se kjo nuk është pyetje për të, por çështje e vendimit të Podgoricës.

“Mund të them atë çfarë dëgjova nga Dritan Abazoviqi. Sot kam uruar zotin Jakov Millatoviq  me të cilin asnjëherë nuk kam biseduar dhe as e kam parë ndonjëherë, tani do fillojmë të bisedojmë. Me Dritanin kam biseduar dhe ai pamëdyshje ka shprehur dëshirën që Mali i Zi të hyjë në ‘Ballkanin e Hapur’. Mendoj se kjo është në të mirë të Malit të Zi, kjo mund të ketë përfitime për të. Do të ishte lajm i mirë të cilën të gjithë do t’a përshëndetnim” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit shtoi se “nuk do të dëshpërohet” nëse nuk është kështu, pasi ky është vendim i Malit të Zi, e drejta e tyre sovrane.

“Ju mund të më spegoni se çfarë gjëje të keqe shikon dikush tek kjo, çfarë të keqe ka që të presësh më pak në kufi….Kur bëhet fjalë për “Ballkanin e Hapur”, askush nuk na thërret askund të vendosë për ne, takohemi dhe marrim vendime konsensuale për t’a bërë jetën më të lehtë për njerëzit tanë. Më pas kemi pjesën tonë të zbatimit. Është më mirë se dikush t'ju detyrojë nga jashtë. Mendoj se në fund të fundit, njerëzit e vërejnë, e shikojnë, e kuptojnë këtë, besoj se është mirë për qytetarët e Malit të Zi. Ne do të presim çfarëdolloj vendimi që ata të marrin. Abazoviq ishte absolutisht pro, Millatoviq foli pozitivisht për këtë gjatë fushatës, shpresoj që në periudhën e ardhshme ndonjë qeveri e re me ndihmën e presidentit, do të marrë një vendim të tillë, jemi duke pritur për këtë” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit ka thënë se gjithmonë kur flitet për “Ballkanin e Hapur”, ka qenë gjithmonë për atë se kush është brenda tij dhe nuk duhet reduktuar kurrë në biseda për thelbin-çfarë është për atë që po arrihet.

Vuçiq theksoi se procedurat dhe lëvizja, veçanërisht e të ashtuquajturve prodhues dhe tregtarë të autorizuar në vendkalime, janë përshpejtuar në mënyrë drastike.

“Kemi lehtësuar shumë procesin e kalimit të kufirit, kemi thjeshtuar procedurat, kemi arritur të bëjmë shumë gjëra. Megjithatë, përherë lind pyetja politike, përse dikush nuk është këtu? Nuk e kam problem, mjafton të them që kemi tre anëtarë, do të doja të kisha një të katërt, një të pestë... Kjo nuk mund të bazohet në faktin se do të bëjmë presion mbi dikë apo se dëshirojmë. Nëse doni-doni, nëse nuk doni-nuk doni” ka thënë Vuçiq.

Ky i fundit i’u referua edhe faktit që Mali i Zi zgjodhi presidentin e ri, ndërsa i pyetur se cilat janë fushat e para që duhet të përmirësohet bashkëpunimi, ai u përgjigj se “duhet të përmirësohet besimi”, sepse siç thotë presidenti i mëparshëm malazez, për gjithçka fajin e ka Sërbia.

“Ajo që është e rëndësishme me dy fjalë është, në mënyrë metaforike, të përmirësojmë besimin dhe të mos ketë akuza të ndërsjellta të pabaza siç ka pasur në periudhën e mëparshme. Presidenti i deritanishëm i Malit të Zi për gjithçka fajëson Sërbinë. Nuk është problem se jam unë, problem është se Sërbia përherë është fajtore. Kryesisht kemi heshtur, rrallë jemi përgjigjur, shpresoj që në të ardhmen bashkëpunimi në të gjitha fushat do të jetë motoja bazë e marrëdhënieve tona dhe jo një mënyrë për të akuzuar njërin apo tjetrin t’a konsiderojmë atë fajtor për çdo gjë që nuk kemi bërë. Kjo është më e rëndësishmja” tha presidenti Vuçiq.