Vujiçiq: Në 30 minuta tentuam të prezantonim draft-statutin, Kurti ishte i pafytyrë
Koordinatorja e Ekipit Drejtues që merret me Statutin e Bashkësisë së Komunave Sërbe Danijela Vujiçiq bën të ditur se ekipi kishte afro 30 minuta, aq sa parashikonte BE, të paraqiste draft-statutin dhe përgjatë gjithë kohës Albin Kurti dhe Besnik Bislimi, ishin ngacmues dhe të pafytyrë.
"Pas pesë vitesh patëm mundësi të paraqitnim draft-statutin e BKS. Përveç fjalës hyrëse, kishim gjithsej 30 minuta, aq sa parashikon BE. Ishte e pamundur të prezantoja 67 anëtarë dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita t’i bëj të ditura ato. Delegacionit i del punë e madhe që të lexojë nen për nen dhe që palët të bëjnë vërrejtjet e caktuara” spegoi ajo në një deklaratë për gazetarët në Bruksel, fill pas prezantimit të draftit. Ajo tha se së bashku me kolegun e saj Belloviq, përjetuan shqetësim të madh në këtë takim. “Sikur mos të ishte Aleksandar Vuçiq, do shpërthente kaosi. Përgjatë gjithë kohës Kurti dhe Bislimi ngacmonin, dhe mes tyre hidhnin fjalë tallëse, përbuzjeje dhe të pafytyrshme. Presidenti Vuçiq ka reaguar ashpër” ka shtuar Vujiçiq.
Kjo e fundit tha se kur ishte duke hyrë në sallë, presidenti i Sërbisë e përshëndeti duke i thënë “ku je moj sërbja e Kosovës e Metohisë“ pas të cilës “shpërtheu kaosi” sepse Kurti dhe Bislimi pyetën se përse e përdor termin Kosovë e Metohi, pasi nuk është pjesë e Sërbisë.
Gjithashtu ajo theksoi se ndaj Ekipit Drejtues është ushtruar presion i madh në dy javët e fundit dhe se me këtë “janë mbushur titujt dhe faqet e para të mediave shqiptare” se ekipi nuk dëshiron të bashkëpunojë.
Vujiçiq theksoi se nëse presidenti Vuçiq nuk do të hidhej në argument për t'i mbrojtur ato si gra para së gjithash, nuk do të kishte pasur mundësi që të paraqesnin punën e madhe që kanë investuar në draft-statut.
Vujiçiq sqaroi se me Statutin është punuar katër muaj, qysh prej prillit e deri më gusht të vitit 2018 e më pas atëherë është konsultuar edhe me kryetarët e të gjitha komunave, kryetarët e kuvendeve, akademikët, ekspertë nga fusha e ekonomisë, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
“Kornizat tona ishin që në draft-statut të përfshihen katër marrëveshjet për të cilat është dakordësuar në dialog. Ata nuk kërkuan as të dëgjonin me qetësi. Që statuti të marrë rëndësi, fillimisht duhet të përmbushin Marrëveshjen për parimet e normalizimit të marrëdhënieve dhe më pas Planin e zbatimit që të implementohet dhe të jetë pjesë e rendit juridik” theksoi ajo.
Vujiçiq theksoi se është dashur të hartohet një plan zbatues dhe meqenëse BKS është sui generis, do të duhet të zbatojnë planin e implementimit, marrëveshjen e dytë që lidhet ngushtë me të parën, që ka të bëjë me parimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Në mënyrë strikte i jemi përmbajtur kornizës. Statuti është i shkëlqyer”, theksoi ajo.
0 komentet