Vujinoviq: Mitrovica e Jugut është kyçe për nacionalizmin shqiptar, Kurti me fitoren e tij “justifikoi” veprimet në veri

Vujinović
Burim: Kosovo Online

Hulumtuesi i studimeve të sigurisë, Nikolla Vujinoviq, ka vlerësuar për Kosovo online se Albin Kurti, duke ushtruar presion ndaj komunitetit serb në veri të Kosovës, është përpjekur të sigurojë marrjen e pushtetit në Mitrovicën e Jugut dhe se fitorja në zgjedhje i ka qenë e rëndësishme që të “justifikojë” veprimet e tij politike.

"Së tepërmi i ka qenë me rëndësi Kurtit të fitojë në zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Jugut, në mënyrë që me atë fitore të konfirmojë se e gjithë politika ndaj veriut të Kosovës, duke filluar nga Mitrovica e Veriut e deri te të gjitha komunat tjera me shumicë serbe, ka qenë e arsyetuar. Pra, me dhunën e tij politike ndaj komunitetit serb në veri të Kosovës dhe Metohisë, është përpjekur ta fitojë Mitrovicën e Jugut, dhe me fitoren e ka justifikuar këtë sjellje", thekson Vujinoviq.

Ai shton se Mitrovica e Jugut është pika kyçe prej nga buron nacionalizmi shqiptar në Kosovë.

"Qytetarët e Prishtinës orientohen kryesisht sipas çështjeve ekonomike, sepse kryetari i tyre, Rama, një teknokrat nga Evropa Perëndimore, dëshiron të bëjë më të mirën për qytetin e tij dhe nuk merret me çështje kombëtare, ndërsa Mitrovica e Jugut është ai front nga i cili gjenerohet nacionalizmi që e furnizon Lëvizjen Vetëvendosje me fuqi politike dhe mbështetje në mbarë Kosovën dhe Metohinë", shpjegon Vujinoviq.


Ai pret presione të reja në veri të Kosovës, veçanërisht para zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të vijnë.

"Pres që tensionet në fushatë të rriten, veçanërisht sepse qeveritë lokale në Kosovë dhe Metohi nuk janë mjaftueshëm të pavarura", thotë bashkëbiseduesi ynë.

Ai sqaron se pa qeverinë qendrore, asgjë nuk mund të zbatohet dhe se qeveria mund të anulojë të gjitha vendimet e Mitrovicës së Veriut.

"Në atë rast, Mitrovica e Jugut do të jetë një 'dëshmitar' i shkëlqyer për të thënë: 'Po, kjo nuk duhet bërë, ne jemi në jug të lumit Ibër, nuk kemi nevojë për të'. Në këtë mënyrë tensioni do të mbetet, siç ka qenë në dekadat e fundit në të gjithë Kosovën dhe Metohinë, dhe do të mbetet i tillë për sa kohë që shteti i pavarur i Kosovës është në terren", përfundon Vujinoviq.