Zyra për KdheM: Me vendim të paligjshëm të Kurtit u dëbua edhe Aleksandar S. nga Shtërpca

Kancelarija za KIM baner
Burim: Kancelarija za KIM

Zyra për Kosovë dhe Metohi ka njoftuar se, me urdhër të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, natën e kaluar nga Kosova është dëbuar edhe një serb tjetër. Siç kanë theksuar, bëhet fjalë për Aleksandar S. (34) nga Brezovica afër Shtërpcës, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Banjën e Nishit.

Nga Zyra për Kosovë dhe Metohi bëjnë të ditur se Aleksandar S. është ndaluar dje pasdite në pikën kufitare në Gjeneral Jankoviq, kur po kthehej nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.

„Gjatë natës, edhe ai është dëbuar nga Kosova dhe Metohia përmes të njëjtit mekanizëm që po e zbaton Prishtina gjatë dy javëve të fundit dhe aktualisht ndodhet në Serbinë qendrore. Aleksandar është polici i njëmbëdhjetë serb që është dëbuar nga pragu i shtëpisë së vet me vendim të njëanshëm, të paligjshëm dhe joligjor të Albin Kurtit“, thuhet në komunikatë.

Siç shtohet, vazhdon politika e ndjekjes së policëve serbë nga territori i Kosovës, të cilëve, sipas vlerësimit të Zyrës për Kosovë dhe Metohi, po u shkelen të drejtat themelore të njeriut të garantuara me shumë konventa ndërkombëtare, ndërsa nga misionet ndërkombëtare, të cilat do të duhej t’u garantonin serbëve të drejtat në Kosovë, nuk kanë asnjë mbrojtje.

„Politika e terrorit, ndjekjes dhe hakmarrjes ndaj popullit serb në Kosovë dhe Metohi është shtylla e politikës antiserbe të Albin Kurtit, i cili para syve të gjithë botës zbaton një politikë të spastrimit etnik dhe ndërmerr hapa të rinj eskalues, në vend se të angazhohet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve“, përfundon komunikata.