Zyra për KeM: Aktgjykimi ndaj Trajkoviqit dëshmi se për serbët në Kosovë nuk ka as të drejta, as drejtësi
Aktgjykimi ndaj Slagjan Trajkoviqit është edhe një dëshmi tjetër se në Kosovë, nën pushtetin e Albin Kurtit, për serbët nuk ka as të drejta, as drejtësi, as gjykim të drejtë dhe as respektim të të drejtave themelore të njeriut, njoftoi Zyra për Kosovë dhe Metohi lidhur me dënimin e Trajkoviqit me 10 vjet burg për krim të supozuar lufte kundër popullsisë civile në komunën e Vushtrrisë gjatë vitit 1999.
Në njoftimin e saj, Zyra theksoi se ky aktgjykim përbën vazhdim të një fushate të kundërligjshme kundër popullit serb në Kosovë, si dhe pjesë të një plani më të gjerë të frikësimit dhe përndjekjes së serbëve.
“Kujtojmë se Trajkoviq, pas konfliktit, u dëbua nga vendlindja e tij Vushtrria dhe u vendos në Mitrovicën e Kosovës, në lagjen Boshnjakë Mahallë, ku jetoi qetësisht me familjen e tij plot 23 vjet, derisa regjimi i Kurtit nisi sistemin e tij të hakmarrjes dhe represionit ndaj popullit serb, përmes arrestimeve arbitrare të bazuara në aktakuza të rreme dhe pa asnjë dëshmitar kredibil”, thuhet në njoftim.
Po ashtu kujtohet se Trajkoviq, si pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka kaluar të gjitha verifikimet e sigurisë dhe se është arrestuar vetëm pasi hoqi uniformën, gjë që, sipas Zyrës për KeM, dëshmon mjaftueshëm për prapavijën politike të arrestimit të tij, e tani edhe të aktgjykimit.
“Gjatë tre viteve të kaluara që i kaloi në kazamatet e Kurtit, shëndeti i Trajkovićit u përkeqësua dhe ai u përball me probleme të shumta dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut, për çka familja e tij ka dëshmuar në disa raste. Ky aktgjykim është edhe një dëshmi tjetër se në Kosovë dhe Metohi, nën pushtetin e Kurtit, për serbët nuk ka as të drejta, as drejtësi, as gjykim të drejtë dhe as respektim të të drejtave themelore të njeriut. Prandaj, sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që populli serb të bashkohet dhe të paraqitet i bashkuar në zgjedhjet e së dielës, në mënyrë që përfaqësuesit tanë nga Lista Serbe, me kapacitet të plotë dhe me fitimin e të dhjetë mandateve, të jenë në gjendje të luftojnë për çdo serb të burgosur që vuan në kazamatet e Kurtit”, përfundon njoftimi i Zyrës për KeM.
Slagjan Trajkoviq u dënua sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë me 10 vjet burg për krim të supozuar lufte kundër popullsisë civile në komunën e Vushtrrisë gjatë vitit 1999.
Avokatët e tij kanë paralajmëruar ankesë, duke theksuar se, edhe në rast të pranimit të fajësisë, një vepër e tillë nuk mund të kualifikohet si krim lufte.
0 komentet