Zyra për Kosovë dhe Metohi: Kurti vazhdon fushatën kundër institucioneve dhe qytetarëve serbë

Zyra për Kosovë dhe Metohi ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka lënë serbët nga ajo enklavë serbe pa para për ushqim dhe ilaçe dhe se po vazhdon “fushatën” ndaj qytetarëve dhe institucioneve serbe.
“E ashtuquajtura Policia e Kosovës me urdhër të drejtpërdrejtë të Kurtit ka vazhduar edhe sot me aksionin e ngacmimit dhe frikësimit të popullit serb në Kosovë e Metohi me një sulm të posaçëm në qytetin e të kthyerve, Gorazhdec, për të detyruar të kthyerit serbë, të cilët kanë mbetur pa pensione dhe përfitime sociale, të largohen nga shtëpitë e tyre me presion shtesë”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovë dhe Metohi.
Siç shtohet, sot policia e Kosovës ka konfiskuar kompjuterët dhe gjithë dokumentacionin në Postën në Gorazhdevc.
“Njësitë e tij policore dhe gjyqësore hynë në ambientet e Postës në Gorazhdec, kanë kryer bastisje, kanë konfiskuar kompjuterë dhe dokumentacion të plotë, duke përfshirë edhe çeqet e pensioneve në bazë të të cilave u paguhen pensionet bashkëqytetarëve më të vjetër dhe ka pyetur qytetarët nëse tërhiqnin para në dinarë. Në të njëjtën kohë, ata gjithashtu legjitimuan gazetarët që ishin para godinës. Kështu duket demokracia dhe shteti ligjor i Kurtit, i cili i la serbët në këtë enklavë të Metohisë pa një dinar të ardhura, pa para për të blerë ilaçe apo një kore buke, duke i konfiskuar punëtorëve të “Postës” para dy ditësh 4 milionë dinarë të dedikuar për pensione dhe kategori të cenueshme sociale, ndërsa tani po i frikëson me represion shtesë”, thuhet në njoftim.
Zyra për Kosovë dhe Metohi kujton se më herët gjatë ditës së sotme policia e Kurtit ia ndaloi hyrjen në Kosovë veturës që transportonte dinarë për pensione dhe përfitime sociale, në mënyrë që paratë të arrijnë pensionistët dhe kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve për të cilët ky është burimi i vetëm i të ardhurave dhe, siç shtojnë ata, kërcënon drejtpërdrejt ekzistencën e tyre.
“Ka ditë që po përballemi me përpjekjet më të forta për të persekutuar popullin serb në historinë e re. Po mbyllen institucionet nga të cilat jeton popullata serbe dhe në këtë mënyrë popullit tonë i shfuqizohet e drejta e jetës dhe kjo para syve të përfaqësuesve ndërkombëtarë”, shtoi zyra për Kosovë e Metohi.
Siç theksojnë ata, përkundër thirrjeve të shumta të zyrtarëve dhe institucioneve evropiane dhe botërore, Kurti vazhdon fushatën kundër institucioneve dhe qytetarëve serbë, i shtyrë nga obsesioni i tij i vetëm, për, siç thuhet, dëbimin e serbëve deri në shfarosjen e tyre të plotë.
0 komentet