DNP Plevla dorëzoi nismën për shfuqizimin e vendimit për njohjen e Kosovës
Partia Demokratike Popullore (DNP) e Malit të Zi ka dorëzuar një nismë për thirrjen e një seance të posaçme të Kuvendit Komunal të Plevlës, në të cilën edhe kjo komunë do të shfuqizonte vendimin për njohjen e Kosovës.
Në njoftimin e Këshillit Komunal të Partisë Demokratike Popullore në Plevlë thuhet se nisma është nënshkruar nga 19 këshilltarë komunalë, të cilët përbëjnë shumicën në kuvendin komunal të Plevlës.
“Nuk kemi asnjë dilemë se ky vendim do të miratohet në Plevlë gjatë këtij muaji. Fatkeqësisht, jemi të detyruar ta njoftojmë opinionin se, pavarësisht faktit se për ta votuan një numër i madh qytetarësh të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kundër vendimit më të turpshëm të regjimit të DPS-së (Partia Demokratike e Socialistëve), i cili njohu të ashtuquajturin shtet të Kosovës, këshilltarët e Lëvizjes Evropa Tani nuk e kanë vendosur nënshkrimin e tyre në nismën tonë”, thuhet në njoftim.
Para Plevlës, një veprim të tillë e ndërmori Komuna e Zetës, e cila më 12 maj ishte e para që miratoi në territorin e saj Deklaratën për shfuqizimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
0 komentet