Këshilltarët në Zetë nisin deklaratë për anulimin e njohjes së Kosovës

Crna Gora - primorje
Burim: Ekonomia Online

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Zetës, 18 prej tyre nga radhët e koalicionit “Për të ardhmen e Zetës”, të udhëhequr nga Partia Demokratike Popullore (DNP) në nivel lokal, kanë paraqitur një iniciativë që në rendin e ditës së mbledhjes së kuvendit të përfshihet pika me titull “Deklaratë për anulimin dhe mosnjohjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës dhe Metohisë”.

Tetëmbëdhjetë nga gjithsej 32 këshilltarë kanë vendosur firmën në shkresën zyrtare që ky propozim të përfshihet në rendin e ditës, aq sa janë edhe votat e nevojshme për miratimin e tij, shkruan portali malazez Borba. Sipas tyre, është e mundur që këtë iniciativë ta mbështesë edhe një numër më i madh këshilltarësh se shumica e nevojshme.

Lideri i DNP-së, Millan Knezheviq, ka deklaruar disa ditë më parë se fillimisht në Zetë, e më pas edhe në komunat e tjera, do të votohet për tërheqjen e njohjes.

Ai për këtë iniciativë pret edhe mbështetje të konsiderueshme në parlamentin e Malit të Zi.