Knezheviq: DNP do të paraqesë iniciativë për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi
Lideri dhe deputeti i Partisë Demokratike Popullore (DNP) të Malit të Zi, Millan Knezheviq, deklaroi se partia e tij do të nisë një iniciativë për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Knezheviq për Euronews Serbia njoftoi se më 10 maj do të organizojë një tubim të madh në të cilin do të kërkojë mbështetjen e organeve partiake dhe aktivistëve për këtë iniciativë.
Ai tha se në mbledhjen e Presidencës së Partisë Demokratike Popullore ka marrë mbështetje të plotë që, së bashku me nënkryetarët, grupet parlamentare dhe këshilltarët, të fillojë aktivitetet dhe fushatën për tërheqjen e vendimit për njohjen e Kosovës.
“Pres që partnerët e koalicionit ta mbështesin këtë iniciativë tonën. Ju rikujtoj se fillimi i kësaj iniciative ishte në Kuvendin e Komunës së Zetës, ku ne ushtrojmë pushtetin së bashku me partnerët tanë të koalicionit nga NSDP dhe Lëvizja për Ndryshime. Atëherë ishte formuar tashmë shumica, por pas hyrjes në Qeveri dhe marrëveshjes që përmes marrëveshjes së koalicionit të mos theksojmë tema që mund të ndajnë shoqërinë, u dakorduam që përmes dialogut të krijojmë parakushtet institucionale për zgjidhje lidhur me flamurin dhe shtetësinë, si dhe që gjuha serbe të bëhet zyrtare, por edhe të hapim çështjen e njohjes së të ashtuquajturit shtet i Kosovës, pasi edhe vetë ish-kryeministri Dushko Markoviq kishte deklaruar se më shumë se 85 për qind e qytetarëve ishin kundër njohjes së të ashtuquajturit shtet i Kosovës”, tha Knezheviq.
Ai shtoi se iniciativa e parë do të jetë në Kuvendin e Komunës së Zetës dhe se mbrëmë është mbajtur mbledhja e grupit të këshilltarëve në Zetë, duke shprehur besimin se do të marrë mbështetjen e partnerëve të koalicionit nga NSDP.
“Më pas do të vazhdojmë me të gjitha vetëqeverisjet lokale dhe kuvendet ku marrim pjesë në pushtet, për të përfunduar në fund me një rezolutë në Kuvendin e Malit të Zi, me të cilën Qeveria do të obligohej të tërhiqte vendimin e vitit 2008. Ne konsiderojmë se kjo është një politikë e vazhdueshme dhe parimore që nuk ka të bëjë me aktivitetet parazgjedhore, pasi zgjedhjet janë në vitin 2027. Nëse do të donim të manipulonim, do ta bënim këtë në maj të vitit të ardhshëm. Pas refuzimit që në rendin e ditës të përfshihej iniciativa jonë lidhur me simbolet shtetërore dhe që trengjyrëshi të bëhej flamur popullor, e kuptuam se kryeministri Milojko Spajiq nuk dëshiron marrëveshje, dhe duke qenë se në partinë e tij pretendojnë se ai është më i madh serb se të gjithë ne, pres që edhe Lëvizja Evropa Tani ta mbështesë këtë iniciativë”, tha Knezheviq.
Ai theksoi se për këtë çështje ka pasur bisedime edhe më herët dhe shtoi se Mandiq ishte i gatshëm të japë mbështetje, si dhe se këshilltarët e NSDP-së në Zetë më parë kishin shprehur gatishmëri për të votuar për iniciativën.
“Nuk pres surpriza sa i përket NSDP-së dhe besoj se që sot do të kemi nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës. Sipas informacioneve që kam marrë nga kryetari i komunës Mihaillo Asanoviq, dëshira e grupit të këshilltarëve të DNP-së në Zetë është që kjo të bëhet në seancën e 12 majit, në Ditën e Shën Vasilit të Ostrogut, në mënyrë që edhe kjo dimension simbolik dhe shpirtëror të përmbyllet me këtë deklaratë, e më pas pres që kjo të ndodhë edhe në vetëqeverisjet e tjera lokale ku ushtrojmë pushtet”, tha Knezheviq.
0 komentet