Nikollovski: Besoj se Mali i Zi në të ardhmen e afërt do të jetë vendi i ri anëtar i Ballkanit të Hapur
Ministri i bujqësisë, pyjeve dhe ekonomisë ujore të Maqedonisë së Veriut Ljupçko Nikollovski ka zhvilluar një takim sot në Podgoricë me kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe me zv.kryeministrin dhe njëkohësisht ministër i bujqësisë Vladimir Jokoviq rreth bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për përfitimet që sjell iniciativa e "Ballkanit të Hapur", bën të ditur deklarata e ministrisë maqedonase.
Ministri Nikollovski ka njohur bashkëbiseduesit me avantazhet e iniciativës "Ballkani i Hapur".
“Besoj se Mali i Zi në të ardhmen e afërt do të jetë vendi i ri anëtar i 'Ballkanit të Hapur' dhe se qytetarët e Malit të Zi do të ndjejnë përfitimet të cilat tashmë i kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Sërbisë”, ka thënë Nikollovski.
Ky i fundit ka thënë se përmes "Ballkanit të Hapur", vendet anëtare vazhdimisht ndihmojnë njëra-tjetrën në furnizimin me ushqim, energji elektrike apo dhe me burime energjitike.
“Tregtia rritet, shkurtohet koha për të gjitha procedurat inspektuese doganore administrative. Krijojmë nisma të reja, aktivitete të përbashkëta, përhapim dhe respektojmë vlerat tona kulturore, por edhe motivojmë të rinjtë të mblidhen, njihen dhe respektohen” ka thënë Nikollovski duke theksuar se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ofrojë ndihmë Malit të Zi në thithjen më të fortë të fondeve prej BE, duke përcjellë përvojat e tyre mbi suksesin e programit IPARD.
“Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura, por kanë hapësirë të bollshme të rrisin bashkëpunimin, komunikimin dhe mandej përcjelljen e këtyre rezultateve tek qytetarët. Kjo është arsyeja përse ndodhemi sot me kryeministrin Abazoviq dhe ministrin Jokoviq për të biseduar rreth këtyre dy temave, rolin kampion të Maqedonisë së Veriut në përdorimin e fondeve të IPARD 2 me vlerën e 60 milionë eurove, pra 98% e buxhetit total me më shumë se 2000 kontrata të realizuara”, ka thënë Nikollovski.
Abazoviq ka deklaruar se vizita e Nikollovskit është nxitje shtesë për një bashkëpunim më të fortë mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe prodhimit ushqimor.
“Përveç turizmit dhe energjisë, bujqësia ka potencialin më domethënës për zgjerim. Synimi ynë është të shfrytëzojmë sa më shumë këtë mundësi në periudhën e ardhshme”, tha Abazoviq.
Ministri malazez i bujqësisë Vladimir Jokoviq, i cili ishte inicues i takimit, falënderoi Nikollovskin për ndarjen e përvojës së tij.
“Maqedonia e Veriut është shembull rajonal i shfrytëzimit të fondeve të BE për zhvillimin e bujqësisë dhe stimulimin e prodhimit. Mali i Zi dëshiron të adoptojë dhe zbatojë praktikat e mira maqedonase. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë maqedonas për gatishmërinë e tyre për të na përkrahur”, tha Jokoviq.
0 komentet