Pendarovski: Organizatorët e tubimit në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen
Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka kërkuar sot ndjekje peale ndaj organizatorëve të tubimeve në Çair të Shkupit dhe në Tetovë në të cilat ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, si pasojë e promovimit të idesë shoviniste të shtetmadhësisë.
"Vënia në pah e ikonografisë provokuese nacionaliste e cila promovon ide shoviniste shtetmadhore, paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë, si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik. Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore në lidhje me përdorimin e flamurit dhe himnit kombëtar dhe flamujve dhe simboleve të komunitetit, duke injoruar plotësisht simbolet shtetërore. Në këtë drejtim u bëj thirrje organeve kompetente që të kryejnë sa më shpejt procedurat përkatëse” ka theksuar Pendarovski në një postim në Fejsbuk.
Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit, beson, se është në kundërshtim me principet e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend.
“Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, tha Pendarovski.
Gjatë vizitës së Kurtit në Maqedoninë e Veriut, në tubimin e Tetovës ra në sy flamuri me hartën e "Shqipërisë së Madhe", ndërsa në të njëjtën kohë kjo vizitë nuk u dëmtua nga shfaqja e flamurit të Maqedonisë së Veriut.
Si pasojë e kësaj, mbrëmjen e të shtunës ka reaguar kabineti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nga i cili u tha se vizita e Kurtit ishte private, ashtu sikurse dhe vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë, është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizime dhe praninë e shtetarëve të huaj.
“Njëkohësisht lloji i ikonografisë së vërejtur në këtë manifestim nën praninë e përfaqësuesit më të lartë të një shteti të huaj, është i papërshtatshëm dhe i papranueshëm në një shtet anëtar i OKB dhe anëtar i NATO-s, dhe lidhur me këtë, ju informojmë se SVR Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti” thanë nga kabineti i Kovaçevskit, përmes mesazhit se dënojnë faktin që në manifestimin e organizuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, nuk u këndua himni maqedonas dhe nuk ishte vendosur flamuri kombëtar maqedonas.
Shtuan se kanë kontaktuar me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut lidhur me ikonografinë që u përdor.
0 komentet