Stoltenberg: NATO mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të BdheH, ne jemi të shqetësuar për retorikën e ndarjes
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Sarajevë në fillim të vizitës katërditore në Ballkanin Perëndimor se kjo Aleancë mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të BdheH.
"Sot diskutuam situatën e sigurisë në vendin tuaj dhe në rajon. Aleatët mbështesin fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj. Jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe përçarëse, si dhe ndikimin e jashtëm, veçanërisht të Rusisë", tha Stoltenberg.
Stoltenberg tha se këto sfida kërcënojnë të minojnë stabilitetin dhe të dobësojnë reformat dhe tha se të gjithë liderët duhet të punojnë për unitet dhe përparim.
Ai tha se NATO është "jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor".
"Me këtë ne po thellojmë bashkëpunimin dhe dialogun tonë politik. Selia e NATO-s në Sarajevë ofron mbështetje për Misionin Altea të BE-së. NATO dhe aleatët e saj mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj suksesit të këtij misioni dhe ne mirëpresim zgjatjen e mandatit të misionit. Mbështesim përpjekjet tuaja për reforma, duke përfshirë paketën për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO për vizitën, duke përmendur simbolikën që Stoltenberg e nis vizitën e tij katërditore në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në BdheH.
"Kjo konfirmon përkushtimin tonë për ndërtimin e paqes, dialogut të ndërsjellë dhe stabilitetit si në BdheH ashtu edhe në vendet e rajonit", tha Krishto dhe shtoi se takimi ishte produktiv dhe konstruktiv.
"Ne diskutuam çështje që janë me interes të përbashkët për bashkëpunimin midis BdheH e NATO dhe që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe sigurinë, si në BdheH ashtu edhe në rajon. Bashkëpunimi me NATO-n na ofron një mundësi për të përmirësuar sigurinë dhe për të forcuar kapacitetet mbrojtëse", tha Krishto.
Gjatë vizitës së tij në BdheH si pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, Stoltenberg, siç është paralajmëruar, do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të takohet me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Pas kësaj, Stoltenberg do të udhëtojë për në Prishtinë, ndërsa nesër është planifikuar një vizitë në Beograd, pas së cilës do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut.
0 komentet