Arqimandriti: Të dhëna alarmante për femicidet në Ballkanin Perëndimor kërkojnë luftë nga të gjitha institucionet

Arćimandriti
Burim: Kosovo Online

Mirela Arqimandriti, drejtore egzekutive e Qendrës së Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC) nga Tirana thekson se pavarësisht zgjidhjeve të mira ligjore në Shqipëri dhe shtetet e rajonit, të dhënat rreth femicideve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor janë alarmante dhe se rrënjët duhen kërkuar tek faktorë të ndryshëm kulturorë, socialë dhe ekonomikë.

“Femicidi ka rrënjë të thella dhe lidhet kryesisht me dominimin, me pushtetin dhe me diskriminimin që është i rrënjosur thellë në mënyrën se si njerëzit mendojnë për gratë dhe vajzat. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur fushata të ndryshme kundër femicideve, kundër dhunës gjinore. Kuadri ligjor në vendin tonë, në Ballkanin Perëndimor, është dukshëm i mirërregulluar, por duhet përsëritur se për sa i përket femicideve, shifrat janë alarmante. Në Shqipëri në vitin 2023 janë vrarë 11 gra dhe vajza, ndërsa sipas të dhënave në Sërbi janë vrarë 27 gra dhe vajza, 11 vrasje të tilla në Bosnjë-Hercegovinë, e kështu me radhë në vende të tjera” thotë Arqimandriti.

Kjo e fundit si problem serioz përmend faktin se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka traditë të përhapur të mbajtjes së armëve të zjarrit dhe të ftohta dhe se problem është edhe dështimi i strukturave shtetërore që nuk e kontrollojnë.

“Por problemi më i madh është zbatimi i ligjeve, politikave të ndryshme nga institucione të ndryshme të cilat duhet të luftojnë me një qasje gjithëpërfshirëse. Kjo duhet të jetë lufta e të gjitha institucioneve, e të gjitha organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, por edhe bizneseve dhe mediave. Nevojitet të krijohet një shkallë shumë e lartë përgjegjësie tek njerëzit për sa i përket barazisë gjinore, respektit ndaj gruas, por edhe në lidhje me të gjitha aspektet e tjera që formohen në moshë të re mbi bazën e normave të rrënjosura më herët. Dhe për këtë nevojitet edukimi i brezave të rinj”, thotë Arqimandriti.

Kjo e fundit thekson se veç edukimit dhe fushatat e ndryshme që realizohen, e më pas edhe zgjidhjet ligjore, është e nevojshme edhe që çështja e dhunës ndaj grave të jetë temë mediatike jo vetëm kur ndodh tragjedi, por edhe që të përfshihet i gjithë komuniteti në të dhe të ketë qasje gjithëpërfshirëse.

“Por kjo nuk mund të realizohet nëse institucionet kompetente si gjykata, prokuroria, policia, punonjësit e shëndetit publik apo të gjitha institucionet komunale të cilat në rastin e Shqipërisë kanë rol mjaft domethënës në funksionimin e mekanizmave në drejtim të luftës ndaj dhunës me bazë gjinore, nuk punojnë siç duhet në kryerjen e detyrave të tyre në kuadër të ligjit. Nevojitet që femicidet dhe vrasësit të trajtohen sipas kodit penal të Shqipërisë apo vendeve të tjera të Ballkanit. Ajo me të cilën mund të ndihmojnë organizata jonë dhe të tjerat, është përmes edukimeve e programeve të ndryshme të përditshme edukojmë të rinjtë rreth kësaj teme” përmbyll Mirela Arqimandriti, drejtore egzekutive e Qendrës së Aleancës Gjinore për Zhvillim.