Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit për muralet e rilyer: Të ndalen aktivitetet që kërcënojnë paqen dhe jetesën e përbashkët
Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit ka dënuar heqjen e muraleve në Mitrovicën e Veriut dhe ka theksuar se ky akt destabilizon më tej situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet ndëretnike, veçanërisht në veri të Kosovës.
Eparkia thekson se veprime të tilla provokuese dhe të njëanshme jo vetëm që nuk kontribuojnë në dialog dhe bashkëjetesë paqësore, por e bëjnë më të vështirë gjetjen e mënyrave për një jetë të qetë për të gjithë qytetarët.
“Patriarku Pavlle dhe Mitropoliti Amfillohije përfaqësojnë dy nga hierarkët më të nderuar të Kishës Ortodokse Serbe në historinë e re, të cilët kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e popullit tonë, veçanërisht në Kosovë e Metohi, ku ata vinin rregullisht dhe ofronin ndihmën e tyre dhe mbështetjen në momentet më të vështira. Përveç kësaj, të dy në disa raste kanë bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë, duke përsëritur se në këto hapësira ka vend të mjaftueshëm për bashkëjetesën e të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë”, thuhet në reagimin e eparkisë.
Nga eparkia u bëhet apel institucioneve lokale të Kosovës, veçanërisht në veri të Kosovës, që të përmbahen nga aktivitete provokuese që rrezikojnë më tej paqen dhe sigurinë e qytetarëve dhe t’i kushtojnë vëmendje ndërtimit të besimit, e jo nxitjes së përçarjes mbi baza kombëtare e fetare.
“Eparkia gjithashtu pret nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që lidhur me këtë dhe incidente të tjera provokuese të ngrejnë zërin e tyre me një mesazh të qartë se destabilizimi i paqes dhe stabilitetit, së bashku me shtimin e presionit mbi serbët e Kosovës me qëllim nxitjen e konflikteve dhe përçarjeve etnike, nuk është në interes të atyre që duan ruajtjen e paqes dhe respektimin e vlerave bazë demokratike”, theksohet.
Po ashtu, theksohet se të gjitha vendimet përkatëse, sidomos në komunat me shumicë serbe, duhet të merren në koordinim të plotë me popullsinë lokale, e jo në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare, pa menduar për pasojat e mundshme.
0 komentet